Slavko Lukiç reagon pas akuzave të Safet Gjicit. Kujtojmë që presidenti i Kukësit deklaroi se mbrojtësi serb e ka provokuar me “treshin” e çetnikëve Kukësin. Lojtari jo vetëm që e mohon këtë fakt, por deklaron se në “Zeqir Ymeri” e kanë ofenduar dhe në shumë raste i është thënë “Vriteni, vriteni serbin”.

“Në ndeshjen e luajtur në Kukës jam ofenduar dhe më kanë goditur. Në çdo aksion që kam prekur topin më kanë vërshëllyer, në shumë raste janë shprehur ‘Vriteni, vriteni serbin’. Raste të tilla ka nga tifozët, por kurrë nuk do t’i pranoja nga një president ekipi, aq më tepër para ndeshjes, që të nxis tifozët. Unë këtu ku luaj, jam i respektuar dhe më duan të gjithë, si lojtarët, stafi apo edhe tifozët. Madje, kaloj shumë mirë dhe në ambientet jo sportive. Raste të tilla nuk duhen lënë mënjanë dhe nëse do të isha racist, nuk do të luaja me Teutën në Durrës”, ka thënë shkurtimisht mbrojtësi i Teutës.