2 dhjetor 2015 – Mesfushorja e Kombëtares shqiptare dhe Kinostudios në kampionatin kombëtar, Cyme Lulaj, tha për gazetën se gjatë kësaj kohe nuk ka dyshuar tek asnjë vajzë pas pretendimeve të futbollistes së Juban Danjës se ka lesbike.
“Unë jam pjesë e kampionatit në futbollin e femrave prej 6 viteve. Si lojtare e Kinostudios, unë kam gjetur një ngrohtësi dhe një grup kompakt te ky ekip, edhe pse janë vajza të vogla dhe të gjitha shqiptare, përveç meje që jam nga Gjakova. Gjithashtu kam gjetur një trajner shumë pasionant dhe shumë kërkues për punën që bën. Për këtë arsye jam pjesë e këtij ekipi për 6 vite me radhë dhe jam shumë krenare që jam pjesë e tij, pavarësisht sesi luhet në kampionatin shqiptar. Dhe ne prej 6 viteve jemi nënkampion i Shqipërisë.
Edhe pse kam pasur oferta nga skuadra të kampionatit shqiptar apo edhe Kosovës, siç janë Vllaznia, Apolonia dhe Kosova e Prishtinës unë jam ndier komod dhe kam gjetur ekipin e duhur.
Sa për rastin e bërë publik tek ekipi ynë nuk kemi pasur dhe s’kemi dyshuar asnjëherë për gjëra të tilla. Për sa i përket lojtares se Juban Danjës, Marçela Ndoci, unë kam respekt për të si futbolliste dhe është një vajzë shumë e mirë për aq sa e njoh. Gjithashtu prej pesë vitesh që jam pjesë e Kombëtares, unë nuk kam parë dhe as dyshuar tek asnjë vajzë që mund të jetë e tillë. Gjatë gjithë kohës që kam qenë e grumbulluar, unë kam zbatuar programin që na jepte trajneri i Kombëtares, pra stërvitje dhe regjim. Në fakt, këto rregulla i ndjekim njëherësh edhe në ekipin tonë në kampionat”, u shpreh për gazetën 26-vjeçarja.
/portali DurresLajm/