Këta mund të jenë pa frikë disa prej kopshtarëve të ardhshëm. Dashurinë për natyrën, bimët dhe tokën kanë nisur ta kultivojnë që në moshë të njomë.
Të gjithë nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Jusuf Puka” janë përkushtuar që nga shtatori i vitit të kaluar për të mirëmbajtur dhe rritur perimet dhe lulet e mbjella në parcelën didaktike.
Olivia Lluka, që ndjek klasën e dytë, pas eksperiencës së fituar në shkollë ka nisur të mbjellë së bashku me prindërit lule dhe perime edhe në shtëpinë e saj.
Ndërsa Dean Larti ka kuptuar se lulet kanë nevojë për përkujdesje të vazhdueshme, duhen ujitur dhe krasitur për t’u bërë më të bukura e dhënë fryte.
Drejtoresha e shkollës, Blerta Maliqati, thotë për “DurrësLajm” se ky projekt kopshtarie, i mbështetur nga 3 ministri është konkretizuar në formën më të bukur të mundshme.
“Janë rreth 200 metra katrorë serë dhe kopësht didaktik ku janë mbjellë mbi 150 lloje frutash dhe perimesh në stinë të ndryshme”.
Për angazhimin maksimal të të gjithë nxënësve na rrëfen mësuesja e ciklit të ulët, Gentiana Pipa.
“Në shkollë kjo nismë është mirëpritur nga të gjitha klasat, nga klasa e parë deri në të nëntën. Të gjithë nxënësit punojnë në terren dhe i shoh mjaft të organizuar. Punojnë në mënyrë të shkëlqyer. Të gjithë fëmijët kanë kontribuuar në sjelljen e farërave dhe fidanëve të pemëve, në mbjelljen e luleve etj”.
Kur sheh kopshtin e lulëzuar të shkollës “Jusuf Puka” nuk mund të mos mendosh, se kjo dashuri për natyrën do t’i shoqërojë shumë gjatë nxënësit.
“Është shumë bukur që nxënësit e sistemit parauniversitar të fokusohen tek disa profesione të harruara së fundmi siç janë zejet dhe kopshtaria”,– thotë drejtoresha Maliqati.
M.B.