Nga Ermal Petushi
- Shkoqur fare, në zgjedhjet e 2013-ës Rama dështoi. Dështoi në ruajtjen e njëfarë koherence, ideali apo parimi në zgjedhjen e kandidatëve dhe jo vetëm në këtë, por ato janë temë tjetër. Virtyte këto mjaft të propaganduara nga ai vetë. Më shumë se sa dështoi do thoja u nështrua thuajse pa kushte dhe mbi veten vuri pragmatizmin në funksion të rotacionit të nevojshëm. Fjalë këto të dala nga goja e tij teksa për muaj me radhë mundohej t’i nguliste njerëzve në kokë se koalicioni me “partnerin strategjik”, LSI-në, ishte thjesht një lëvizje taktike. Por a i justifikon kjo lëvizje prurjet e reja në parlament? Mjeti justifikon qellimin?! Jo plako, dështove…
26 janar 2015 – Dëshira e Ramës për të marrë pushtetin me çdo kusht pasi pa t’i vidhen votat në 2009-ën mbizotëroi mbi parimet, i tejkaloi ato, ashtu me çizme numer 46 sipër. Rezultati? Rezultati është se sot kemi paturpësisht parlamentin me deputetet më të krimbur në lek(pa punuar asnjë ditë), më injorantë (ama me doktoratura të kristalta në vitrinë), dhe më me precedente penale(i lanë duart para se të anetarësoheshin në parti)…në plot çerek shekull demokraci. E këtu e kam fjalën vetëm për listën personale të kryeministrit, sepse opoziten, në gjithë historinë e saj , nuk di nga t’a kapesh se të ndyn duart në këtë aspekt.
Eh pra, ky bastardizëm ndaj votës dhe vullentit të lirë nuk duhet të përsëritet më. Zgjedhjet lokale janë rasti më i mirë për rikthimin e vlerave mbi të cilat ai pretendon se po rilind vëndin. Ajo ç’ka kam vënë rë në javët e fundit, është një makineri propagande, e ngritur në këmbë nga miniklane që kanë nisur luftën për pushtet gjashtë muaj para zgjedhjeve. Media të caktuara nxjerrin lista të kompiluara vetë sipas “burimeve të brëndshme” nga kryeministria. Një ekspozim në vetrinë i vetvetes ky nga njëra anë dhe një imponim i dhushnëm nga ana tjetër, nën kërcënimin që nëse nuk kandidohen nga PS, ata dalin të pavarur. Mamuthët e bashkive në mandatet e tyre të tretë, katërt, qarkulluan emrat e tyre nëpër media per rikandidim, të fortët e lagjes dhe biznesmenet po ashtu. Nuk mund të mungonin as deputetet që nga frika e mos-rikandidimit në zgjedhjet e 2017-ës, tentojnë të zbresin një shkalle më poshtë duke e pare bashkinë si shpresë të vetme për prolungimin e ngrohjes së fundshpinës në karrige edhe për 4 vjet të tjera. Lulekuqe të uritura për pushtet,varur mbi murin e kryeministrisë, aty, kacavirrur nën dritarën e Edit. Njerëz me CV të zezë, me cv “të bardhë” dhe në rastin më të mirë, pa cv fare. Më vjen të vjellë…
Këtu luhet ndyrë, pis, zgjyrë fare…Eshtë luajtur gjithmonë, po s’ma zë goja të them që do luhet kështu gjithmonë. Por qurravitja nuk është zgjidhje, jo më tashmë që vota tregoi se përmbys edhe diktatore. Mesazhi i ambasdaorit amerikan në ikje duhej stampuar dhe ngulitur në murin e kryeministrisë bashkë me mesazhet për Vitin e Ri : “Mos jini shume arrogante”!
Vetë Rama me prapavijë kryebashkiaku pamohueshmërisht të suksesshëm e di më mirë se kushdo tjetër që bashkia është kartevizita më e mirë për një qeveri në krye të katër viteve. Fundja, qytetari nuk e jeton përditshmerinë nëpër shifrat e suksesit imagjinar të makroekonomisë, por e shikon dhe përjeton atë çdo ditë rrugës në trotuarin ku hedh hapat, në tramvain që merr çdo ditë për të shkuar në punë, në parqet ku çon të birin, shkollat e kinematë….të paktën Luli me këto i gënjeu.
Dështoi totalisht me parlamentarët duke menduar të prezanojë si fasadë vetëm veten dhe 2-3 ministra deri diku të suksesshëm , njëri më orator e persuaziv se tjeri, dukë lënë në errërirë mediatike pjesën e errët të listës së zezë. Nuk besoj se do ketë vënd për një gabim të dytë, në një klimë grushti të hekurt qeveritar në zbatimin e çdo reforme dhe ku burgu i duket më afër se kurrë qytetarit të thjeshtë e shumë larg atyre që rrënuan shtetin. Kjo për vetë faktin se ajo që në qershorin e 2013-ës dukej si fakt i kryer, mbajtja e pushtetit të paktën 8 vjet, sot në distancë kohore është zbehur, madje dikush hedh bast në do e përfundojë dot maratonën në këmbë kjo qeveri apo do rrëzohet rrugës. Normal që shthurja e padeklaruar e partisë së Lulit ia bën më të lehtë qëndrimin por ky popull ka treguar se kur të rrëzon, e bën atë në mënyre spektakolare, me ose pa votë.
Ka ardhur koha të mbështeten kandidatët e vërtetë, ata që mbështetjen e qytetarëve nuk e kanë marrë me zarfe javën e fundit para zgjedhjeve, por në baze të kontributit social dhe intelektual ndër vite në qytetin e lindur. Njeriun që qytetari e njeh, e do dhe ka besim, e jo trafikantin e importuar nga jashtë me skedinën penale të pastruar në zyrat e partisë vetëm vitet e fundit. Vlera mbi pasurinë, dija mbi injorancën dhe intelekti mbi arrogancën, kaq kërkoj, s’më duket shumë…





