E dinit se ajri brenda shtëpisë mund të jetë shumë herë më i ndotur se ajri jashtë saj?

Ambientet e mbyllura thithin shumë energji dhe kimikate brenda tyre. Për fat të mirë bimët na ndihmojnë që të arrijmë ta filtrojmë ajrin në mënyrë të vazhdueshme dhe natyrale në çdo ambient.

Por vetëm një lloj i caktuar lulesh arrijnë ta kryejnë plotësisht këtë proces.

Një studim i vitit 2016 nga NASA, të cilit i referohet AgroWeb.org tregoi për rëndësinë e këtyre bimëve në jetën tonë të përditshme.

Këto bimë përveçse do të filtrojnë ajrin do të thithin lagështinë, eliminojnë erën e keqe dhe të pastrojnë pluhurin nga shtëpitë tuaja.

Fieri

Për vite të tëra lulja e fierit ka zënë vend në shtëpitë dhe kopshtet shqiptare. Mund ta vendosni në çdo zonë të shtëpise, në sallon gjethet e shpeshta jeshile do t’i japin shtëpisë shumë stil dhe dritë.

Kjo bimë shumë voluminoze dhe e bukur është shumë e thjeshtë për t’u mbajtur në ambientet e shtëpisë nga çdokush. Fieri ndihmon në pastrimin e toksinave të dëmshme që ju rrethojnë. Është mirë ta mbani në zona me lagështirë ku nuk bie shumë dielli.

Sigurohuni ta ujisni rregullisht në mënyrë që të shpërndajë sa më shumë oksigjen brenda dhomave tuaja.

Lule shpata

Nëse po kërkoni një lule e cila mund të rritet edhe pa shumë kujdes, lule shpata është e duhura për ju. Është një ndër lulet më të përhapura nëpër ambiente të brendshme dhe jo pa qëllim.

Lule shpata do të veprojë si një pastrues ajri natyral për shtëpinë tuaj. Mbajeni në ato zona të shtëpisë ku bie më shumë dielli dhe ujiteni çdo 2-6 javë. Gjatë ujitjes spërkasni edhe gjethet e luleve me pak ujë sigurohuni të mos e ujisni shumë.

Zambaku

Zambaku është një bimë me gjethe të mëdha jeshile dhe lule të bardha. Një dekoruese shumë e mirë dhe e dobishme për shtëpinë.

Perfekte për t’u mbajtur në tavolinë apo në ambientet e dhomës. Zambaku do t’ju ndihmojë të filtroni pluhurin dhe ajrin e rënduar nga çdo ambient.

Mbajeni të hidratuar dhe në vende me shumë dritë natyrale.

Fikusi

Një bimë që rritet në vazo të mëdha perfekte për dekorim dhe pastrimin e ajrit.

Gjethet e mëdha janë dekori i duhur për shtëpinë tuaj. Mund ta lini në një cep të dhomës pasi nuk kërkon shumë dritë natyrale.

Ujiteni sa herë që të shikoni se dheu në vazo është plotësisht i thatë. Në verë përsëriteni i këtë proçes 1 herë në javë.