Biznesi vendas po përballet me një klimë të ashpër, jo vetëm nga kriza ekonomike, por edhe nga autoritetet shtetërore. Doganat dhe Tatimet po ndërrmarin një fushatë të egër gjobash dhe vendimesh, të cilat bien ndesh me interpretimin e ligjeve në fuqi. Në një intervistë për “Dyrrah” kryetarja e Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri, Floreta Luli Faber, deklaroi se barra fiskale që po rëndon mbi kurrizin e kompanive ka ndikim të drejtpërdrejtë në aktivitetin e këtyre të fundit. Sipas Luli-Faber po ndërmerret një fushatë e egër tatimore dhe inspektorët janë duke zbatuar një interpretim të ri të ligjeve ekzistuese duke vendosur gjoba të rënda për aktivitetin tregtar të viteve të kaluara, të cilat kanë qenë madje të kontrolluara nga më parë nga tatimorët. “Kjo klimë e re është shumë larg premtimit për të krijuar një klimë të qëndrueshme për biznesin dhe një atmosferë mikpritëse për investitorët dhe veçanërisht për investitorët e huaj”,- tha Faber.

Së fundmi nga Drejtoria e Tatimeve është kërkuar që të mblidhet nga kompanitë e hidrokarbureve taksa e karbonit prej 2.5 lekësh për litër, për 5 vitet e fundit. Si konsiderohet ky vendim dhe çfarë pasojash do të ketë tek këto kompani?

Informacioni në fjalë u bë publik gjatë takimit që Dhoma Amerikane pati me Drejtorinë e Përgjithshëm të Doganave. Kompani përfaqësuese të këtij sektori ngritën problemin që në fakt për ta përkthehet në kosto të rënda financiare dhe ka të bëjë me interpretimin ndryshe të një vendimi të marrë rreth pesë vjet më parë nga ana e inspektorëve tatimorë.

Gjatë kontrollit të pesë viteve të fundit ata kanë caktuar si masë detyrimi pagimin e taksës së karbonit për shoqëritë që importojnë gaz për nevoja studimi edhe pse kishte një vendim që i përjashtonte ata nga kjo taksë dhe vendimi nuk është ndryshuar. Kjo ka sjellë që shoqëritë të ngarkohen me detyrime tatimore që kanë të bëjnë specifikisht me Taksën e Karbonit dhe të Qarkullimit, që i ngarkohen padrejtësisht shoqërisë për t’u paguar për periudhën 2007-2012.

Legjislacioni Tatimor, më saktë Ligji “Për Sistemin Fiskal në sektorin e Hidrokarbureve", për "Taksat kombëtare në RSH", "Për TVSH", "Për Akcizat", "Për Kodin  doganor në RSH" si dhe Marrëveshja Hidrokarbure ndërmjet "Albpetrol" sha dhe shoqëritë e hidrokarbureve shërbejnë si bazë ligjore për t’i çliruar këto shoqëri nga pagesat e taksave të sipërpërmendura, për të gjitha aktivitetet që lidhen me operacionet hidrokarbure, në masën siç jepet në ligjin shqiptar. Detyrimi që i ngarkohet padrejtësisht nga Autoritetet Tatimore shoqërive për taksën e Karbonit është në fakt një detyrim doganor në importin e gazoilit për qëllimet e kërkim zhvillimit (në drilling) në sektorin e Hidrokarbureve. 

Nëse taksa e karbonit ishte një detyrim për t’u paguar në Autoritetet Doganore, atëherë Autoriteti Doganor nuk do lëshonte autorizim për përjashtim nga taksa doganore dhe nuk do të kryente normalisht Urdhër- Çlirimin e ngarkesës. Gjithsesi ajo që vlen të theksohet është se gjobat e vëna për periudhën pesë vjeçare janë të larta dhe riskojnë të ardhmen e aktivitetit të këtyre shoqërive për të cilën ne me të drejtë ngritëm zërin si organizatë në takimin e fundit.

Pothuajse e njëjta situatë përsëritet në sektorin e Hidrokarbureve por edhe në atë të shpimit dhe kërkim të naftës, ku me ligj kompanitë dhe nënkontaktorët e tyre janë të përjashtuar nga TVSH dhe për shumë vite kanë kryer faturime me TVSH zero. DPT  me anën e një shkrese në kundërshtim me ligjin urdhëron degët e tatim-taksave nëpër rrethe që të mos njohin këto faturime (të kontrolluara më parë nga inspektorët tatimorë) nga viti 2009 e në vazhdim. Këto subjekte detyrohen të paguajnë TVSH dhe gjobat përkatëse për 4 vitet e fundit. Si ju duket ky veprim i DPT? 

Jemi sërish brenda sektorit, por me një tjetër problem që vjen nga keqinterpretimi i ligjeve. Autoritetet tatimore nuk i njohin vërtetimet e AKBN që i përjashton këto shoqëri nga TVSH-ja dhe historia përsëritet sërish. Fakti që ne i kemi pranuar si çështje që vijnë nga anëtarët tanë dhe i kemi adresuar në strukturat përkatëse do të thotë se i kemi konsideruar si të drejta dhe jemi të vendosur për të mbrojtur interesin e tyre që nuk është interes i një apo dy kompanive, por i gjithë industrisë.

Shqetësimet e ngritura nga një sërë industrish, që mund të jenë të evitueshme nëse ligji zbatohet me korrektësi dhe inspektorët tatimorë nuk abuzojnë me ligjin. Interpretime të ndryshme ligjore kanë bërë që industri të tëra të gjenden në udhëkryq dhe të vënë në dyshim të ardhmen e tyre sepse paparashikueshmëria e ligjit dëmton në mënyrë serioze aktivitetin e biznesit dhe sidomos investimet e huaja

Shoqatat e biznesit dhe subjektet po ankohen për gjoba arbitrare nga ana e tatimeve? Çfarë fiton shteti në rast se për shkak të gjobave kompani të ndryshme detyrohen të falimentojnë pa pasur të drejtën e apelimit në gjykatë?

Nuk mund të them se çfarë fiton shteti nga kjo situatë, por mund të themi me saktësi se çfarë humbet biznesi nga kjo gjë. Ne kemi denoncuar raste flagrante të kontrolleve abuzive që prekin jo një, por disa industri si ajo e çimentos, sistemit universitar privat, hidrokarburet, telekomunikacionin etj. Këto veprime të pajustifikuara ligjërisht janë vlerësime që vijnë nga keqinterpretimi i ligjit me tendencën për të gjobitur kompanitë me gjoba të rënda. Ne jemi kundër kësaj fryme dhe mendojnë se kjo është shkatërruese për biznesin.

Në 1 tetor ka nisur mbledhja e akcizës nga doganat. Si ka vijuar kjo procedurë? Çfarë sugjeroni ju në këtë drejtim?

Janë raportuar vonesa që kanë shkaktuar kosto financiare për bizneset, pasi vetë administrata ka patur paqartësi gjatë aplikimit të ligjit të ri për akcizën. Edhe kjo çështje u ngrit në takimin me drejtorin e Doganave, i cili në fakt mendonte se këto janë gjëra normale që ndodhin në ditët e para kur aplikohet një ligj i ri.

Ajo çfarë ne kërkuam në interes të biznesit anëtar të dhomës sonë, por dhe komunitetit të biznesit në tërësi, është që një ligj të mos aplikohet menjëherë sa aprovohet, por t’i lihet kohë biznesit dhe administratës doganore ta njohin për të evituar gjatë zbatimit problematikat që vijnë prej tij. Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri informoi anëtarët dhe shtypin për organizimin e këtij Forumi Biznesi me Drejtorin e Përgjithshëm të Tatimeve, Gazmir Spahija. AmCham ka përsëritur disa herë kërkesën për organizimin e kësaj tryeze që në dhjetor 2011.

Gjithsesi, ne vazhdojmë të besojmë se të gjithë duam të kemi një klimë pozitive dhe të qëndrueshme për të bërë biznes në vend, prandaj duhet të ulemi e të dialogojmë herë pas here. Dialogu është e vetmja formë për të gjetur rrugët e një bashkëpunimi efektiv në bazë të të cilit duhet të qëndrojë gjithmonë ligji dhe zbatimi me drejtësi i tij. Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri përfaqëson 200 anëtarë që vijnë nga industri të ndryshme. Objektivi themelor i Dhomës është të asistojë anëtarët e saj dhe të ndihmojë në përmirësimin e klimës së biznesit. 

Ne këtë e realizojmë përmes procesit të lobimit që ka në fokus ligjet e qeverisë, sistemet rregullative dhe politikat që cënojnë konkurrueshmërinë e biznesit, duke sjellë për pasojë të ardhura më të ulta, më pak punë dhe mungesë investimesh.

Ne duam t’ju bëjmë të ditur sot këtu jo thjesht shqetësime të bizneseve individuale, por fenomene shqetësuese të një numri industrish, që mund të jenë të evitueshme nëse ligji zbatohet me korrektësi dhe inspektorët tatimorë nuk abuzojnë me ligjin. Interpretime të ndryshme ligjore kanë bërë që industri të tëra të gjenden në udhëkryq dhe të vënë në dyshim të ardhmen e tyre sepse paparashikueshmëria e ligjit dëmton në mënyrë serioze aktivitetin e biznesit dhe sidomos investimet e huaja.

Nuk është e rastësishme që kjo çështje përbën edhe një nga pikat më të rëndësishme  të axhendës sonë të biznesit, Transparenca në Tatime dhe Politika Fiskale: Qeveria duhet të jetë transparente në planifikimin dhe buxhetimin e saj fiskal dhe duhet të kërkojë mendimin e biznesit, kur harton qëllimet dhe objektivat në politikat fiskale. Rimbursimi i TVSH-së po ecën shumë ngadalë. Afatet ligjore për rimbursim kanë kaluar dhe kjo ka shkaktuar dhe vazhdon të shkaktojë pengesa thelbësore në veprimtaritë e kompanive.

Kjo gjë ndikon në kushtet financiare të kompanive dhe sidomos likuiditetet. Sipas ligjit në fuqi, bizneset tashmë pretendojnë që rimbursimi i TVSH-së duhet të përfshijë edhe interesat për periudhën që nuk iu është bërë rimbursimi. Kontrolle të përsëritura dhe të pajustifikuara kanë vështirësuar jetën e biznesit.

Kontrollet e mëparshme tatimore konsiderohen gabim nga inspektimet e tjera që vijnë më pas. Inspektorët ndryshojnë interpretimin dhe zbatimin e ligjit. Ka inspektorë që vazhdojnë të kontrollojnë e rikontrollojnë të dhënat dhe veprimtarinë që nga viti 2006-të. E gjithë kjo situatë është shumë larg premtimit për të krijuar një klimë të qëndrueshme për biznesin dhe një atmosferë mikpritëse për investitorët dhe veçanërisht për investitorët e huaj.

Shqetësimet e biznesit

–         Gjobat e vëna ndaj kompanive të hidrokarbureve për periudhën pesë vjeçare janë të larta dhe riskojnë të ardhmen e aktivitetit të këtyre shoqërive

–         Autoritetet tatimore nuk i njohin vërtetimet e AKBN që i përjashton shoqëritë që merren me kërkimin e naftës nga TVSH-ja

–         Janë raportuar vonesa që kanë shkaktuar kosto financiare për bizneset, pasi vetë administrata ka patur paqartësi gjatë aplikimit të ligjit të ri për akcizën.