TIRANE, 28 mars 2013 – Në takimin që kryeministri zhvilloi sot me investitorë të huaj që kanë investuar në vendin tonë duket se jo gjithçka ka vajtur “vaj” për kreun e ekzekutivit. Kjo për shkak se në një moment kryeministri nuk e ka pëlqyer ndërhyrjen e përfaqësueses së Dhomës Amerikane të Tregtisë, Floreta Luli-Faber.
Ndërsa kreu i ekzekutivit renditi një sërë reformash që qeveria e tij ka ndërmarrë për të lehtësuar barrën fiskale në kurriz të biznesit dhe për të krijuar klimën e favorshme për investimet e huaja, Luli-Faber e vuri theksin në mjedisin aspak “komod” për sipërmarrësit.
Mosrimbursimi i TVSH-së, ndryshimet e shpeshta ligjore, mosmbledhja e këshillit të biznesit dhe ndryshimet e fundit për heqjen e TVSH-së së imputeve ishin disa nga shqetësimet që Luli-Faber paraqiti në takim.
Por deklarata e Luli-Faber duket se nuk është kapërdirë nga kryeministri, i cili shqetësimet e ngritura nga përfaqësuesja e Dhomës amerikane të Tregtisë i cilësoi “sentimente personale”.
“Realiteti nuk është ai që paraqisni. Shqipëria është ndër ato vende të pakta që ka marrë investime më shumë nga ç’mund të merrte. Duhet të jenë të kujdesshëm me sentimentet personale se mesazhi që ju thoni se i çoni biznesit është i pabazuar në realitetin shqiptar. Kur bëni konkluzione, zhvishuni nga pasionet dhe analizoni me gjakftohtësi. Shqipëria nuk është parajsë, ndaj jam këtu”,- tha Berisha.
Shqetësimet e saj Luli-Faber i pati ngritur 4 muaj më parë në një intervistë ekskluzive për gazetën “Dyrrah” ku pati theksuar se biznesi po përballet me një klimë të ashpër, jo vetëm nga kriza ekonomike, por edhe nga autoritetet shtetërore. Sipas Luli Faber, barra fiskale që po rëndon mbi kurrizin e kompanive ka ndikim të drejtpërdrejtë në aktivitetin e këtyre të fundit, ndërkohë që po ndërmerret një fushatë e egër tatimore dhe inspektorët janë duke zbatuar një interpretim të ri të ligjeve ekzistuese duke vendosur gjoba të rënda për aktivitetin tregtar të viteve të kaluara, të cilat kanë qenë madje të kontrolluara më parë nga tatimorët. “Kjo klimë e re është shumë larg premtimit për të krijuar një klimë të qëndrueshme për biznesin dhe një atmosferë mikpritëse për investitorët dhe veçanërisht për investitorët e huaj”,- tha Faber në intervistën për”Dyrrah”.
/m.b. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/





