Gjykata e Tiranës ka shpallur fajtor kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pasi ishte paditur nga Taulant Balla me akuzën e shpifjes.
Gjykata ka dhënë 50 mijë lekë të reja gjobë për Bashën i cili u shpall fajtor për deklaratat e bëra në lidhje me 3,4 milionë euro të kapura në Portin e Durrësit, verën e vitit 2018.
Deputeti socialist pas vendimit tha për mediat se ky është një vendim historik.
“Ne politikanët duhet të kuptojmë se përpara se të jemi politikanë jemi qytetarë dhe duhet të trajtohemi njësoj nga Gjykata. Ky vendim gjykate është historik për të cilën ne politikanët duhet të reflektojmë gjatë. I pari që duhet të reflektojë është Lulzim Basha që është shpallur fajtor. Opozita të ketë një qasje tjetër ndaj Kuvendit të Shqipërisë duke ushtruar përgjegjësinë e vet dhe Parlamenti është vendi ku opozita ka rolin e vet. Unë mendoj që drejtësia e re ka filluar të japë efektet e para dhe nuk kam asnjë dyshim që drejtësia e re do të jetë ajo që do hetojë siç duhet krimin shtetëror të 21 janarit 2012”.





