Kryetari i opozitës, Lulzim Basha tregohet gjithmonë i rezervuar sa i përket familjes. Me kujdes, Basha gjithmonë prezanton imazhin e një politikani duke mbajtur larg saj fëmijët dhe bashkëshorten.
Por ndodh që ndonjëherë “tradhëtia” vjen nga brenda. Vëllai i tij i nxjerr një foto sekret, ndoshta pa dashje. Teksa poston fotot e dasmës së tij, Erlind Basha tregon edhe dëshmitarin, vëllain më të madh. Kryeopozitari ka hequr kostumin e politikës, atë që jemi mësuar ta shohim në përditshmëri dhe ka veshur atë të dasmorit për të përjetuar një gëzim të madh, martesën e të vëllait.
Ceremonia u zhvillua më 3 shtator në plazhin e Dhërmiut, ku avokat Erlind Basha nën bekimin e vëllait Lulzimit, lidhi jetën me Eda Lundrën. Çifti preferoi që dasma të zhvillohej në këtë ambient, pasi e adhurojnë Dhërmiun.
Pas dasmës, Basha udhëtoi drejt Vatikanit për të marrë pjesë në ceremoninë e Shenjtërimit të Nënë Terezës, ndërsa të hënën do të jetë në Dibër, në mbështetje të Sherefedin Shehut.





