17 janar 2015 – Zgjedhjet e 21 Qershorit duket se do të jenë një betejë mes zonjave. Teksa vendimi i Kolegjit Zgjedhor u dha fund iluzioneve të SHQUP, për të sabotuar zgjedhjet e 21 Qershorit, duke i thënë “jo” referendumit popullor për ndarjen administrative, kryetari i opozitës shqiptare, Lulzim Basha, duket se ka piketuar tashmë 61 kandidatët për betejën e 61 bashkive në zgjedhjet lokale. Ndonëse ish-kryeministri Berisha ka deklaruar paraprakisht humbjen në 51 bashki nga 61 të tilla, PD është përfshirë tashmë nga ethet e prapaskenave, lobimeve, kalkulimeve dhe emrave të kandidatëve. Nëse kryeministri Edi Rama nuk do t’ua besojë kryetarëve aktualë me disa mandate bashkiakë kryesore, Lulzim Basha ka vendosur të huazojë një taktikë politike të Ramës, duke u besuar sfidat kryesore grave.
Kështu, Lulzim Basha dhe Sali Berisha do të kandidojnë 12 gra për 12 nga 61 bashkitë kryesore në zgjedhjet e 21 Qershorit. Nëse Berisha ua ka besuar gjithmonë burrave të fortë bashkitë kryesore, tashmë dy bashkëkryetarët kanë ndryshuar taktikë, duke futur në lojë gratë, si qenien politike më të besueshme, më pak të korruptueshme, më pak arrogante etj. Ky është një sinjal i qartë për Grida Dumën, e cila pasi eklipsoi Jozefina Topalli, Majlinda Bregun dhe nxori jashtë loje Mesila Dodën, duket se është më pranë se kurrë ëndrrës për të qenë kandidate për Bashkinë e Tiranës, e konsideruar si qeveria e dytë dhe njësia vendimtare që do të përcaktojë palën fituese në këto zgjedhje.
Po ashtu, vendimi për të kandiduar 12 gra, është një mesazh i qartë edhe për Jorida Tabakun dhe zonjat e Bashkisë së Tiranës, që konsiderohen si krahu i djathtë i Lulzim Bashës. Kreu i PD, ka gjasa të kandidojë Grida Dumën në Tiranë, ndërsa zonjat e tjera në bashki të rëndësishme të fituara historikisht nga Partia Socialiste. Pavarësisht ankesave për vizatimin e ndarjes territoriale, në PD ka një ide dhe bindje se e djathta do të marrë një numër të konsideruar bashkish, sidomos në veri të vendit, për shkak të pakënaqësisë popullore për dy aksionet më të rëndësishme të qeverisë, ai kundër vjedhjes së energjisë dhe ndërtimeve pa leje. PD do ta shfrytëzojë maksimalisht këtë moment dekikat politik për qeverinë, duke i shtuar edhe elemente të tjera, që lidhen me profilin e kandidaturave dhe taktikat zgjedhore.
Gratë në krye të garës
Lajmi për kandidimin e grave në 1/5 e bashkive të vendit është konfirmuar nga deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi. Zonja Vokshi pohoi dje se një ndër pesë kandidat të PD në zgjedhjet lokale, do të jenë femra.
“Rama duke kopjuar platformën tonë gjinore tha që do ishin 50% gra në këshillat bashkiakë. Sfida jonë shkon edhe më tej se ne zotohemi për 50, është zotim i kryetarit Basha më ka autorizuar që të them që PD do të ketë jo më pak se 1 në 5 gra si kandidate për bashkitë. Nuk duket shifër e madhe por është hera e parë që një parti bën këtë hap, në 20% të bashkive nga sa është numri i përgjithshëm (minimum 20 %) do të jenë gra, gara duhet të jetë e barabartë”, deklaroi Vokshi.
/Sot news/





