Kosovë, 24 mars 2014 – Kosova përkujtoi sot 15 vjetorin e ndërhyrjes së NATO-së, e cila i dha fund fushatës së spastrimit etnik në Kosovë. Komuna e Deçanit ka zgjedhur këtë datë të veçantë në historinë e saj dhe të mbarë Kosovës, për t’i dorëzuar zyrtarisht titullin “Qytetar Nderi” kryebashkiakut të Tiranës, njeherësh kryetar i PD, z. Lulzim Basha.
Në fjalën e tij, kryebashkiaku Basha ka shprehur mirënjohjen e tij për dhënien e titullit “Qytetar Nderi” i Deçanit.
“Unë ju falënderoj për këtë nder të madh dhe ju them se ndonëse përherë jam ndier pjesë, siç jam, e familjes së madhe të shqiptarëve të Kosovës, nip Kosove, nip Peje, nip Drenice, ky nder i veçantë, përulësisht më zgjon ndjenjën e madhe të përgjegjësisë, si i zgjedhur vendor i bashkisë së kryeqytetit, si qytetar i Tiranës, si shqiptar, një ndjenjë e madhe përgjegjësie për të merituar plotësisht vlerën, domethënien, kuptimin e nderit të veçantë që më bëni sot. Më lejoni të them sot po ashtu, se e ndiej thellë në zemër se ky, përtej të qënit një nder personal, është një nderim, respekt, shenjë vëllazërie, dashurie për qytetarët e Tiranës dhe për mbarë qytetarët e republikës së Shqipërisë, ndaj më lejoni edhe njëherë t’ju falënderoj në emër të tyre, për këtë nder të madh e të veçantë”, – tha Basha.
Vizita e kryebashkiakur Basha në Deçan nisi me homazhet në nderim të heronjve të kombit në qendër të Deçanit dhe në kompleksin memorial të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Gllogjan. Një manifestim i veçantë me titull: “Epopeja e Dukagjinit” ka mbyllur kremtimin e 15 vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë dhe 16 vjetorit të epopesë së UÇK-së në Dukagjin.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





