Ish-kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ka reaguar me anë të një videoje në Facebook, në lidhje me arrestimet që u bënë ditën e djeshme për vrasjen e Pjerin Xhuvanit në Elbasan më 21 prill të vitit 2021.
Basha shkruan në postimin e tij se vendimi i djeshëm tregon se si policia e shtetit u vu në shërbim të bandave me urdhër të Edi Ramës në “masakrën zgjedhore të 25 prillit”.
Ai bëri thirrje që para drejtësisë të vihen urgjentisht edhe ish-drejtori i policisë dhe prokurori i Elbasanit që sipas tij gënjyen publikisht për të fshehur të vërtetën.
Postimi i Lulzim Bashës:
Çdo shqiptar e ka të qartë edhe më shumë sot se si Rama e ka përdorur policinë për të mbrojtur blerjen e votave. Vendimi i djeshëm tregon se si policia e shtetit u vu në shërbim të bandave me urdhër të Edi Ramës në masakrën zgjedhore të 25 prillit. Para drejtësisë duhet të vihen urgjentisht edhe ish-drejtori i policisë dhe prokurori i Elbasanit që gënjyen publikisht për të fshehur të vërtetën. Asnjë ushtar politik i sotëm apo i djeshëm i Suel Çelës nuk mund të manipulojë të vërtetën e kësaj ngjarje, ku policia dhe krimi u bënë bashkë për të blerë vota dhe që fatkeqësisht çoi në viktima.
Ditën e djeshme zv.drejtori për rendin e sigurinë publike në Berat, Albert Nushi dhe ish-zv.drejtori për rendin dhe sigurinë publike në Elbasan, Nikollaq Palla janë dënuar me arrest shtëpie, pasi hetimet i nxorën fajtorë për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Deklarimi i rremë përpara oficerit të policisë gjyqësore”, për çështjen e vrasjes së Pjerin Xhuvanit dhe plagosjes së katër të tjerëve, ne prill të vitit të kaluar në Elbasan.





