Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha thotë se Edi Rama nuk ka të drejtë morale për të kërkuar mandatin e tretë qeverisës.

Sipas tij  kjo sepse nuk ka mbajtur asnjë premtim gjatë 8 viteve të qeverisjes së tij.

“Janë qindra premtime që Edi Rama ka bërë dhe nuk i ka mbajtur. Ndaj dje vetëm ju kujtova një pjesë të vogël të këtyre premtimeve. Një Kryeministër që nuk i mban premtimet nuk ka të drejtën morale të kërkojë një mandat tjetër. Jo vetëm që nuk ka kërkuar falje që s’ka mbajtur asnjë premtim të vetëm në 8 vite, por tani po vjen me të tjera premtime boshe. Vetëm propagandë. Vetëm dështime. Rezultati: Shqipëria ka ngecur në vendnumëro. Shumica dërrmuese e shqiptarëve janë më të varfër se më përpara, papunësia është rritur. Përgjeëgjësi i vetëm që Shqipëria ka mbetur në vendnumëro është Edi Rama. Tani e vetmja gjë që bën do të na sjellë premtime të reja 2 muaj para se shqiptarët t’i japin verdiktin me votë. Më 25 Prill Shqipëria fiton, Edi Rama humb”- tha Lulzim Basha gjatë një deklarate për gazetarët nga selia blu.