TIRANË,28 shtator 2013- Kryetari i Partisë demokratike Lulzim Basha gjatë një interviste për Zërin e Amerikës ka rishprehur dhe njëherë qëndrimin se opozita nuk do të pranojë asnjë shtyrje të hyrjes në fuqi të ligjit për Shërbimin civil. Basha tha se pretendimi i qeverisë se mungesa e akteve nënligjore e bën ligjin të pazbatueshëm është vetëm një pretekst absurd për të realizuar spastrimet në administratë. Sipas tij opozita është e gatshme të ulet të bisedojë me shumicën nëse në të ardhmen do të shfaqen probleme me zbatimin e ligjit.



“Ky është një pretekst absurd. Ligji hyn në fuqi më 1 tetor dhe ai vetë parashikon që aktet nënligjore hartohen brenda tre muajve të ardhshme. Ky ligj është hartuar nga ekspertët e BE dhe është miratuar me konsensus të plotë në parlament më 30 maj. Nuk ka asnjë vakum përsa i përket mbrojtjes që ligji i bën administratës publike dhe detyrimeve që ajo ka në kryerjen e detyrave të përditshme. Të gjitha cështjet e tjera trajtohen nga rregullore apo akte nënligjore si dhe vendime të Këshillit të ministrave ekzistuese, të cilat përsa kohë nuk bien në kundërshtim me frymën e ligjit mund të vazhdojnë të përdoren deri në hartimin e akteve të tjera, për të cilat vetë ligji parashikon një afat tremujor”. 



Sipas zotit Basha, qeveria e re kërkon të realizojë spastrime në administratë, të cilat ligji i ri i vështirëson, ndërsa thekson se Shërbimi civil është një pasuri e të gjithëve dhe një investim jo vetëm i takspaguesve shqiptare por edhe atyre europianë që kanë kontribuar në hartimin e tij: 



“Ne mbrojmë pikërisht këtë investim, por mbi të gjitha mbrojmë frymën e konsensusit mbi të cilin u miratua ligji. Shkallmimi i këtij konsensusi për t’i hapur rrugë spastrimeve politike është shpallje luftë, jo thjesht opozitës, apo partisë demokratike, por është shpallje lufte të ardhmes europianë të vendit dhe aspiratave të cdo shqiptari për siguri ligjore, shtet ligjor dhe mirëqënie”. 



Ndërkohë, qeveria është shprehur se ka ftuar përfaqësuesit e opozitës parlamentare për të diskutuar me ta rreth një rrugëzgjidhjeje. Lideri I opozitës, Lulzim Basha nga ana e tij thekson faktin se deri më tani gjithçka është bërë në fshehtësi dhe se hyrja e tij në fuqi nuk mund të vihet në diskutim.