Ndonëse nuk është një fenomen i pazakontë në futbollin e femrave, java e 13-të e Superiores ka prodhuar lumë golash, teksa janë tundur plot 66 herë rrjetat në pesë ndeshje të zhvilluara. Gara për “Këpucën e Artë” mes Mesuare Begallos së Gramshit dhe Megi Doçit të Vllaznisë e ka shndërruar kampionatin në estradë.

Shkodranet, të cilat vinin pas disfatës në shtëpi pikërisht kundër rivaleve të Gramshit, e “shfrynë” inatin ndaj Lushnjës së vendit të fundit. Në takimin e zhvilluar në fushën e Plugut, Vllaznia e “plugoi” ekipin myzeqar me 23 gola. Në këtë takim, Megi Doçi shënoi plot 16 gola, 12 nga të cilët i realizoi që në pjesën e parë.

Golat e tjerë për ekipin kampion të 11 sezoneve të fundit në Shqipëri u shënuan nga Ahamadi (tripletë), Caka (dopietë), Coad dhe Vasa. Kronika e kësaj ndeshjeje ishte “topi në qendrën e mesit të fushës dhe gol në portën lushnjare”.Situatë e ngjashme ndodhi në ndeshjen e luajtur në kompleksin “Dinamo”, aty ku Gramshi mundi Laçin me rezultatin 16-0, ku plot 10 gola u shënuan nga golashënuesja më e mirë e kampionatit, Sara Begallo, ndërsa 6 golat e tjerë erdhën me tripleta nga Ribeiro dhe Musaj. Me këtë fitore, Gramshi ruan vendin e parë në renditje, por duhet theksuar se regjistron një ndeshje më shumë se Vllaznia. Ndërkohë për sa i përket garës së golashënueseve, Mesuare Begallo mbetet lidere me 59 gola, ndërsa Megi Doçi pozicionohet e dyta me 47 gola.

Në ndeshjen e luajtur në Kamzë, Apolonia mposhti Kinostudion 11-0, ku 6 gola u shënuan nga Vanesa Levendi. Golat e tjerë u realizuan nga Hamonikaj (dopietë), Sesu, Tenutti de Sousa dhe Debora.KIDerbi kryeqytetas luajtur në “Skënder Halili” mori ngjyrë të kuqe, ku Partizani i dha një “shuplakë” Tiranës në shtëpi, duke e mposhtur 5-0. Metalla e Kadriu shënuan dopieta, ndërsa një gol e realizoi Ferreira dos Santos. Po me rezultat dyshifror Egnatia mundi Teutën 10-1. Zogu, Muça dhe Banushi shënuan tripleta, ndërsa një gol e realizoi Puca. Për durrsaket golin e vetëm e realizoi Hysa.