Kryebashkiakja Emiriana Sako ka bërë një pasqyrim të situatës së përmbytjeve paraditen e sotme në njësitë administrative Sukth dhe Katund i Ri. Pas daljes së lumit Erzen nga shtrati, janë shkaktuar probleme serioze në disa segmente të argjinaturës.
“Në disa pika lumi ka kaluar mbi argjinaturë, ndërsa në pika të tjera ka ndodhur çarja e saj, çka ka sjellë përmbytjen e disa zonave të banuara dhe tokave bujqësore në këto njësi administrative.
Të gjitha strukturat tona, së bashku me grupet e punës dhe mjetet e rënda, janë angazhuar në terren për riparimin e argjinaturës, forcimin e saj në pikat më problematike, si dhe për garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe minimizimin e dëmeve”, thotë kryebashkiakja Sako.
Në njësinë administrative Katund i Ri, konkretisht në fshatin Erzen, ku është konstatuar çarja e argjinaturës, po punohet intensivisht për evakuimin e banorëve nga zonat e përmbytura. Përveç fshatit Erzen, përmbytje janë evidentuar edhe në fshatrat Katund i Ri, Katund Sukth dhe Fllakë. Në total, në këtë njësi administrative janë përmbytur rreth 500 hektarë tokë bujqësore.Ndërkohë, në njësinë administrative Sukth, përmbytjet kanë prekur një pjesë të qytetit, kryesisht në zonat pranë Erzenit si dhe lagjet 2, 3 dhe 4, duke shkaktuar vështirësi për banorët dhe qarkullimin. Po ashtu, janë përmbytur rreth 2000 hektarë tokë bujqësore në zonat e Sukthit, Hamallajt, Rrushkullit, Perlatit, Kullës dhe Vadardhës.
Hidrovorët e Porto Romanos dhe Hamallajt po punojnë me kapacitet të plotë për të përballuar flukset e ujit dhe për të lehtësuar situatën.
Të gjitha strukturat përgjegjëse do të vijojnë të jenë në gatishmëri të plotë pa ndërprerje për të përballuar çdo emergjencë, me prioritet absolut mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe kufizimin e pasojave të përmbytjeve.





