Forcat amerikane kanë sekuestruar një tjetër cisternë nafte në Detin e Karaibeve, në kuadër të përpjekjeve të administratës Trump për të kontrolluar eksportet e naftës venezueliane, kanë njoftuar zyrtarët amerikanë.

Tankeri i quajtur Olina, i cili ndodhet në listat e sanksioneve të disa vendeve, është anija e pestë që është konfiskuar nga Shtetet e Bashkuara në javët e fundit. Autoritetet amerikane thonë se konfiskimet synojnë të ushtrojnë presion mbi qeverinë e përkohshme të Venezuelës dhe të nxjerrin jashtë funksionit të ashtuquajturën “flotë e errët” e cisternave që transportojnë naftë të sanksionuar.

Sipas Komandës Jugore të ushtrisë amerikane, operacioni u krye para agimit nga marinsat dhe marinarët amerikanë, në bashkëpunim me Departamentin e Sigurisë Kombëtare. Anija u sekuestrua pasi, sipas zyrtarëve, ishte nisur nga ujërat e Venezuelës në përpjekje për t’iu shmangur forcave amerikane.

Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, deklaroi se bëhej fjalë për “një tjetër anije të flotës fantazmë” të dyshuar për transportimin e naftës nën embargo, duke e cilësuar operacionin si të sigurt dhe efektiv.

Kompania e riskut detar Vanguard Tech tha se Olina po përpiqej të çante bllokadën detare amerikane dhe se kishte lundruar nën një flamur të rremë të regjistruar në Timorin Lindor. Sipas saj, konfiskimi vjen pas një ndjekjeje të zgjatur të cisternave të lidhura me dërgesat e sanksionuara të naftës venezueliane.

Më herët gjatë javës, SHBA-të konfiskuan edhe dy cisterna të tjera të lidhura me eksportet e naftës venezueliane, përfshirë një anije me flamur rus, në operacione të zhvilluara në Atlantikun e Veriut dhe Karaibe.

Ndërkohë, Uashingtoni po shqyrton mundësinë e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Venezuelën, ndërsa diplomatët amerikanë kanë vizituar Karakasin për të vlerësuar rihapjen e ambasadës amerikane, e cila u mbyll në vitin 2019.