Zënkat e vazhdueshme dhe ofendimet ndaj vjehrrës i kanë kushtuar shtrenjtë një 21-vjeçare nga Lushnja.

 28 janar 2015 –  S.Koçi është rrahur nga vjehrri dhe kunati i saj dhe për pasojë ka përfunduar në spital. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Fier dje bënë me dije se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së hënës në fshatin Rremas të Lushnjës. Pas sinjalizimit të bërë nga mjekët për rastin e dhunës në familje, blutë kanë arrestuar babë dhe bir. Bëhet fjalë për 62-vjeçarin Sadik Koçi dhe djalin e tij 30-vjeçar, Fitim Koçi, të cilët akuzohen për ushtrim dhune, kryer në bashkëpunim.

NGJARJA

Rreth orës 19:30 të së hënës, 21-vjeçarja S.Koçi ka debatuar ashpër me vjehrrën e saj, pasi kjo e fundit i ka tërhequr vëmendjen, duke i thënë se sjellja e saj në familje nuk ishte e mirë. E ndërsa vjehrra i ka thënë se duhej të mësonte të sillej si duhet me vjehërrit dhe njerëzit e tjerë të burrit, nusja është indinjuar dhe i ka kthyer fjalën. Mësohet se në sherr e sipër, 21-vjeçarja ka ofenduar nënën e bashkëshortit të saj. Fjalët e saj janë dëgjuar nga i vjehrri, Sadik Koçi, i cili i xhindosur nga sjellja e pahijshme e ka sharë dhe goditur nusen e djalit të tij. Por, konflikti nuk është mbyllur me kaq, pasi nusja është rebeluar më shumë dhe i është kundërpërgjigjur të zotit të shtëpisë. Në këtë moment ka ndërhyrë dhe është përfshirë në konflikt edhe djali i familjes Koçi. Sipas policisë, 30-vjeçari Fitim Koçi e ka rrahur nusen e vëllait të tij, pasi ajo i kishte ofenduar rëndë prindërit. Burimet e mësipërme sqaruan se në momentin që ka ndodhur ngjarja, bashkëshorti i 21-vjeçares nuk ka qenë në banesë, por në një nga lokalet e fshatit. Ai është njoftuar nga i ati dhe vëllai, të cilët i kanë kërkuar që të kthehej në shtëpi, pasi i kishin rrahur të shoqen. Më pas, 62-vjeçari Sadik Koçi së bashku me dy djemtë e kanë dërguar të renë në spitalin e qytetit të Lushnjës, ku dhe i është dhënë ndihma e parë mjekësore. Bluzat e bardha të këtij spitali pohuan se 21-vjeçarja ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

ARRESTIMI

Kanë qenë mjekët e spitalit të Lushnjës që kanë sinjalizuar policinë për rrahjen e 21-vjeçares nga fshati Rremas. Blutë kanë nisur hetimet, duke marrë në pyetje S. Koçi, e cila ka denoncuar për ushtrim dhune vjehrrin dhe kunatin e saj. Pas kallëzimit, policia ka vënë në pranga dy agresorët. Materialet ndaj 62-vjeçarit Sadik Koçi dhe djalit të tij 30-vjeçar, Fitim Koçi i janë përcjellë për hetime të mëtejshme prokurorisë së Lushnjës. Pritet që gjykata e këtij rrethi të vendosë masën e sigurisë në ngarkim të tyre.