Durrës, 21 mars 2014– Pasioni dhe puna janë dy cilësi që e kanë shoqëruar gjithë jetën aktorin e madh të teatrit të Durrësit, “Artistin e Merituar”, Lutfi Hoxha. Ai është njëri nga nismëtarët e themelimit të teatrit të Durrësit, teatër që mban emrin e aktorit të madh shqiptar me famë botërore, “Aleksandër Moisiu” dhe që ka shumë për të thënë për rrugën e gjatë dhe të vështirë të skenës, për mbresat e kujtimet e pashlyeshme, për miqtë e shokët që nuk i ka pranë.
“Artisti i Merituar” Lutfi Hoxha është nderuar me mjaft tituj si “Mjeshtër i Madh”, “Mirënjohja e qytetit”, “Nderi i qytetit të Durrësit” etj. Ndërkohë me motivacionin “për figurat artistike të realizuara me dashuri dhe origjinalitet në filmin shqiptar” u nderua me Çmimin e Karrierës në edicionin e vitit të kaluar të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Durrës, ku gladiatori i argjendtë ju dorëzua nga kryetari i Bashkisë, Vangjush Dako. Lutfi Hoxha rendit një nga një episode pafund në çdo frymëmarrje dhe kujton se gjithçka ia kushton publikut durrsak që aq fort e ka dashur dhe ndjekur skenën e teatrit. Pa dashur të marrë përsipër rolin e kritizerit aktori Lutfi Hoxha shprehet se publiku e kishte të pamundur të ndiqte premierën, pasi gjithçka shfaqej me autorizim, kurse sot edhe pse shpërndahen dhjetëra ftesa skena ndien boshllëkun e sallës, mungesën e artdashësve.
“Nuk mund të them gjë pse ndodh kështu. Mendoj se sot gjithçka po orientohet nga industria e biznesit”,- thotë me finesë aktori pa dashur të ngacmojë ndjesitë e askujt.
Sigurisht që duhet të mbani mend ditën kur teatri i Durrësit fitoi statusin e teatrit profesionist edhe pse ka kaluar më shumë se gjysmë shekulli…..
Asgjë nuk erdhi rastësisht, apo e shtyrë nga ndokush. Ishte meritë e teatrit amator të qytetit të Durrësit, ishte djersa e regjisorëve dhe aktorëve të mëdhenj të kohës si dhe e publikut që na ndiqte gjithandej. Tre çmime të para të njëpasnjëshme fituam në vitet 49-51 me pjesët teatrale “Ishulli i paqes”, “Invadimi” dhe “Urdhnoni në Zvonkovo”. Kjo bindi jurinë dhe asokohe ministrinë se Durrësi meritonte të kishte teatrin e vet profesionist. Vite të tëra grupe amatore në ndërmarrje, kantiere, port, shkolla e institucione kishin mundur të përgatisnin një numër të mëdhenj artistësh të zellshëm për teatrin. Për ne aktorët e brezit tim data 11 janar 1953 nuk shlyhet kurrë, pasi është dita kur hapëm dyert e teatrit profesionist. Isha aktori ndër më të rinjtë në moshë. Edhe sot më dalin parasysh imazhet e atij gëzimi në sytë e Sulejman Pitarkës, Lazër Vlashit dhe bashkëthemeluesve të teatrit profesionist Nikolin Xhoja, Vangjel Heba, Teodor Urumi, Vera Urumi, Ferit Alibali, Spiro Urumi, Semiha Ishmi etj. Nuk përmbaheshim nga gëzimi, kishim prekur ëndrrën tonë të atyre viteve. Na është dashur të kalojnë disa ditë për ta besuar se gëzimi ynë ishte real pasi fillimisht ndiheshim si në ëndërr.
Jeni aktori i shumë roleve në teatër por edhe në kinematografi në më shumë se 55 vite. Një punë me shumë sakrificë dhe këmbëngulje.
E kam nisur jetën si aktor amator në moshë shumë të re, pa i mbushur 17 vjeç në grupet amatore. Unë jam arsimuar në degën e aktrimit në shkollën “Jordan Misja” dhe pedagogët na kishin futur në shpirt jetën artistike. Në moshën 19 vjeç u rendita përkrah aktorëve të njohur të kohës në teatrin e Durrësit dhe që nga viti 1953 nuk i jam ndarë më jetës së skenës. Skena ka qenë jeta dhe familja ime. Zgjoheshim e flinim me gëzimin që na sillte skena, publiku, regjisorët, skenografët. Për mua, por edhe për çdo artist pasioni në art është gjithçka. Duke pasur pasionin në anën tënde mund të bësh mrekulli. Në sajë të tij dhe të punës së pandalshme ne u bëmë jo vetëm të njohur në publik por dhe shëmbëlltyrë e së mirës, krenarisë dhe imazhit të artit në Durrës dhe qyteti krenohej me ne. Njerëzia na përshëndesnin ngado shkonim. Gjithnjë synonim që skena t’i paraprijë shijes së publikut dhe kjo na dha popullaritet. Punonim shumë që mesazhi të lexohej nga vet publiku, që duhet të kuptonte nëntekstin. Nuk ishte e vështirë për të kuptuar suksesin, pasi spektatori qeshte me zemër, duartrokiste pambarim dhe falënderonte me urime të gjithëllojshme. Na prisnin tek dera e teatrit, na rroknin duart, na përqafonin. Kështu ndodhte pas çdo shfaqje. Skena në ato vite mbushte të gjitha detyrimet e shijet që sot i mbulon industria elektronike e kinemasë, filmit dhe teatrit. Publiku ishte shumë i etur në atë kohë, kishte dëshira të pashtershme. Ne duhej t’i përmbushnim sa më mirë, të zgjidhnim komedi e drama që plotësonin dëshirat e tyre. Aktorët e teatrit të Durrësit e kishin prekur lavdinë dhe kjo na shtynte që çdo pjesë që interpretohej të ishte edhe më e arrirë se e para për të mbajtur të lidhur publikun pas skenës. Teatri ishte shkolla e publikut dhe aktorëve u duhej vëmendje e kujdes për edukim e argëtim. Shfaqnim pjesë edhe në Kavajë, Lushnjë, Elbasan, Berat e në shumë qytete e fshatra, pasi në atë kohë nuk kishte trupa të tilla profesioniste në këto qytete të mëdha. Publiku na shikonte si ngadhënjimtarë, si të ishim heronj dhe kjo na motivonte shumë. Kishte trupë profesionistë vetëm Teatri Kombëtar, Shkodra dhe Korça. Realizonin mesatarisht 4-5 premiera çdo vit, ndërsa në një javë shfaqnim 3-4 pjesë të ndryshme duke i dhënë qytetit larmi argëtimi. Për të ndjekur një premierë artdashësit kërkonin autorizim me miq, ku ishte e ku nuk ishte miku. Tani disa trupa ftojnë njerëz më shumë sesa kapaciteti i sallës për të mbushur së paku radhët e para. Ka rënë shija e publikut apo vet teatri duhet parë. Diçka mungon dhe kjo duhet gjetur, nëse aktorët duan të tërheqin publikun.
Teatri pas disa vitesh u pasurua me emra të rinj. Bashkëpunimi mes brezave sa harmonik ishte në atë kohë?
Nuk vonoi shumë dhe teatri i Durrësit u gjallëruar shumë. Erdhën brezi i ri e djemve dhe vajzave të shkolluar në Akademinë e Arteve. A.Stari, F.Ujkaj, A.Bega, H. Rama, M.Kabashi, K.Pirro na sollën freski. Ata ishin me kulturë të plotë dhe falë edhe dashamirësisë u harmonizua tradita me të renë, përvoja e fituar me aktorët e rinj që vinin plot energji dhe siguri. Në lojë hyri koncepti i ri dhe kjo falë këtyre talenteve. Ne u ngrohëm shpirtërisht, pasi themelet e teatrit tani u forcuan edhe më tej. Durrësi krijoi virtuozë me përmasa kombëtare e ndërkombëtare si Nikolin Xhoja, Vangjel Heba, Spiro Urumi, Filika Ujkaj, Mirush Kabashi. Ata u nderuan me titujt “Artist i merituar”, “Artist i Popullit”, medalje e ndere të panumërta. Gjithçka e fituan nga pasioni dhe puna, por edhe nga dashamirësia e publikut të Durrësit për artin e aktorët.
Ç’vend kanë zënë aktoret femra në imazhin dhe traditën e teatrit “Aleksandër Moisiu”?
Çmoj shumë, pa masë dhe nuk kam fjalë të përshkruaj atë që kanë bërë aktoret femra të teatrit të Durrësit. Nëse do të kthehemi në vitet e para, që kur ne ishim në trupën e grupeve amatore, vajzat që erdhën në teatër i dhanë një hov të ri, cilësor e frymë civilizuese skenës e sallës. Nuk ishte fare e lehtë për V.Uruni, S.Ishmi, A.Stari, F.Ujkaj etj të kapërcenin mbi konceptet e asaj kohe të rënduar nga analfabetizmi dhe gjykimet jo qytetare. Marrëdhëniet me to kanë qenë marrëdhënie kolegësh, fisnike, shoqërore dhe vëllazërore. Me kurajën e tyre dhanë modelin dhe hapën rrugën për aktorët, artistët e tjera duke i dhënë teatrit funksion të plotë dhe të fuqishëm. Rolet e tyre ishin të pazëvendësueshme dhe teatri nuk mund të qëndronte në këmbë pa këtë shtyllë të fortë femërore e cila vuri gurë në themelet e trupës profesioniste. Rrinin bashkë gjithandej, në skenë, në shfaqje jashtë Durrësit, në gëzime familjare. Aktorët femra kanë merita të pazëvendësueshme. Ne patëm fatin e mirë se ato ishin edhe të çiltra dhe nuk i druheshin as batutave të rrugës. Mbaj mend një herë se si në Elbasan teksa trupa jonë ecte në anë të trotuarit nga ana tjetër u dëgjuan zëra të tregtarëve të dygajave: “Trembini këndej ato pëllumbesha” dhe vajzat e trupës sonë që ia dhanë të qeshurës. Ishin të reja, por aspak të druajtura. Teatri i Durrësit mbijetoi edhe në sajë të ndihmesës së tyre. U miqësuan me publikun dhe fituan shumë simpati.
Të kalojmë pak tek rolet që keni luajtur. Nuk janë pak. Dhjetëra e dhjetëra role në teatër dhe 18 role në kinematografi. Cili mbetet roli më i dashur, më i vështirë, më i përkëdheluri?
Kam pasur jetë shumë aktive artistike. E kam të pamundur të veçoj ndonjë nga rolet. Në kohën që më afrohej roli unë nuk isha më Luti, por personazhi. Para se të dilja në skenë thosha “Këtë rol mund ta bëjë edhe ky, edhe ai, edhe tjetri. Kur dilja në skenë para publikut i thosha vetes: Këtë rol nuk e bën askush më mirë se ti, askush”. Premierën e parë në teatrin profesionist e kam pasur në pjesën “Vajza nga fshati” të Fatmir Gjatës me regjisor Pandi Stillo dhe luajta rolin e fshatarit. U bëra aktor profesionist pa mbushur 19 vjeç. E mbaj mend si sot. Vishja pantallona të shkurtra dhe dallohesha nga të artistët e tjerë se qeshë më i vogli në moshë. I kam dashur të gjitha rolet. Më është dashur të luaj rolin e një të rrituri, të moshuari, të babait, fshatarit, intelektualit, borgjezit, fisnikut e kështu me radhë. Në një rol unë jam bërë babai i aktorit Nikolin Xhoja i cili ishte më shumë se 10 vite më i madh sesa unë. Teatri më ka argëtuar dhe më ka falur gëzim në vitet më të mira të jetës. Janë shumë role në komedi, drama, por edhe në tragjedi. Kështu kam luajtur tek “Vatra e Huaj” – Gjeloshi; “Festa e Fenerëve” – Bulkthi; “Martesa” – Stefani; “Kush asht fajtori” – Djaloshi”, “Dy vëllezër e gjysmë”; “I sëmuri imagjinar”-Argoni; “Revizioni”- Osipi; “Sëmundja e rrezikshme” – dr. Pastiqja; “Fejesa e Sofijes”; “Parajsa dhe Ferri”, “Dy me zero”, “Lugajanët” etj. Kam luajtur monologun e Edipit në “Edipi Mbret”, “Nuk paguajmë, nuk paguajmë” të nobelistit Dario Fo, ndërsa më është dashur të luaj edhe dy role në të njëjtën pjesë. Në kohën e kryerjes së shërbimit ushtarak kam luajtur me Teatrin Kombëtar dhe ajo kohë qe përvojë e mirë për mua. Me komedinë e Dionis Bubanit “Bileta e llotarisë”, me rolin e xha Sokratit si dhe me rolin e Skapenit në komedinë klasike “Dredhitë e Skapenit” të Molierit, apo atë të dajës së dy vëllezërve në dramën e Gjergj Vlashit “Dy vëllezër e gjysmë”, të cilat i përkasin kohëve të ndryshme, solla një lojë cilësore. Unë Molierin e kam shumë të admiruar, por pa lënë asnjë autor tjetër në rreshtin e dytë, thjesht Molieri dhe komeditë e tij më kanë bërë pse jo edhe të meditoj. Kam bashkëpunuar me regjisorë shumë të pasionuar si: Panajot Kola, Pandi Stillo, Vangjel Heba, Kujtim Spahivogli, Gjergj Vlashi, Haxhi Rama, Driada Dervishi, Mihal Luarasi. Kësisoj nuk vonoi shumë dhe më është akorduar titulli “Artist i Merituar” duke më shtyrë në ngasje të tjera për skenën, publikun, qytetin tim të lindjes e qytetin e dashur të tim ati. Them kështu se im atë erdhi nga Dibra e Madhe, pasi regjimi serb në fillim të shekullit XX nisi spastrimin etnik dhe përndjekjet. Objekt në raste të tilla bëheshin familjet patriotike, intelektuale dhe tregtare. Im atë dhe familja e tij i kishte këto cilësi, ndaj dhe mori plaçkat e u vendos në Durrës, ku u linda unë, ku lindën fëmijët e mi dhe ku dua që të jetojnë edhe stërnipër e stërmbesa të mia. Durrësi është qytet që të përmbush të gjitha detyrimet e kënaqësitë.
Jo pak role e sukses keni prekur edhe në kinematografi…
Kinemaja ka qenë tjetër përvojë e mirë në karrierën time më se 55 vjeçare. Madje në moshën 73 vjeç kam qenë aktor protagonist në filmin “Ne dhe Lenini” dhe që është pritur mjaft mirë nga shikuesit, ndërkohë që jo pak interesim ka ngjallur edhe tek kritika e huaj. Tek “Ne dhe Lenini” u transformova në plakun Musa, i braktisur nga familja dhe shoqëria dhe që përfundon në një azil. Në këtë film, në krah kisha emra të shquar të skenës e kinematografisë shqiptare si Margarita Xhepa dhe Robert Ndrenika. Para tij kam lozur role tek “Pylli i lirisë”, “Shoku ynë Tili”, “Detyrë e posaçme”, “Thirrja”, “Ilegalët”, “Nata e parë e lirisë”, “Dollia e dasmës sime”, “Valsi”, “Rrugicat që kërkonin diell” etj. Të punosh me regjisor si Kristaq Dhamo, Fehmi Oshafi, Gëzim Erebara, Esat Mysliu, Sajmir Kumbaro etj, sigurisht ndihesh më shumë sesa mirë si dhe i vlerësuar. Ata janë artistë të vërtetë dhe bashkëpunimi me ta për çdo aktor është fat i vlerësuar. Megjithatë dua të pohoj se më shumë e kam dashur dhe e dua teatrin sesa kinemanë. Filmi e bënë artistin më të pasur e më të njohur. Por kjo ka shumë industri, ka truk. Aktori nuk e prek, nuk e përjeton shikuesin, publikun, është në shirit, bëhet spektator. Mua më pëlqen komunikimi në rrugë natyrale me publikun, kam dashur ta shoh në sy e të ndjek nga pranë emocionet e tij.
A keni nostalgji për skenën dhe a do të riktheheni sërish në të ndonjë ditë?
Derisa të kem jetë shpirti im nuk ndahet nga skena. Jam i pranishëm sa herë kur organizohen aktivitete të ndryshme në teatër. Mosha tashmë bën të vetëm, por ajo që dua të theksoj është se nëse do më jepej mundësia të interpretoja edhe njëherë nuk do të thoja jo.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





