Bashkëjetesa me balerinin 8 vite më të ri dhe jeta intime.
14 dhjetor 2013- Jo të gjithë aktorët e humorit e kanë jetën e tyre vaj, aq sa të prodhojnë batuta e situata komike gjithmonë. Për Renada Cacin, historia e dashurisë që po jeton momentalisht me Klinton Zeqirajn e bën të ndihet shumë të motivuar për të sjellë të tjera karaktere në “Portokalli”, përveç Luzes së famshme. Pasi ka hequr gati 30 kilogramë nga trupi i saj, ajo tregon  ne Panorama Plus për harmoninë që ka gjetur me veten dhe bashkëjetesën me balerinin.
Linjat e tua elegante bëjnë përshtypje tashmë pas dobësimit të menjëhershëm. Mund të na tregosh dietën që mban për të ruajtur peshën që ke aktualisht?
E vërtetë që kam humbur në peshë në mënyrë të dukshme, pasi kam qenë 81 kg dhe tani jam 53 kg, kjo falë Anila Kalleshit. Për momentin nuk po mbaj ndonjë dietë të caktuar, thjesht po tregoj kujdes në ushqimet që konsumoj  si gjithmonë, duke ngrënë shëndetshëm. Mund të them se perimet zënë vendin e parë në menynë time në përgjithësi.
Po ashtu duket se çështjet e zemrës po të shkojnë mirë. Është e vërtetë që po bashkëjeton me Klinton Zeqirajn dhe si po të duket kjo jetë e re, e thjeshtë apo e vështirë për ty si artiste?
Njeriu provon ndjesi interesante dhe të veçanta, qoftë në shkollë, punë apo shoqëri. Por çështja e zemrës është ajo e cila të bën shumë speciale në momentin që ti e ndien se po përjeton diçka të veçantë. Është e vërtetë që po bashkëjetoj me Klintonin, edhe pse erdhi pak shpejt kjo fazë, por natyrshëm. Në fillim e kisha të vështirë, sepse nuk jam mësuar të qëndroj larg mamasë sime, por me kalimin e kohës, për të mos thënë që vetëm këto kohët e fundit, e kam mbledhur veten, duke menduar që nëna ime do të jetë gjithmonë e respektuar në vendimet që unë marr dhe në situatat që unë ndodhem.
Si i ndani financat dhe detyrimet familjare në këtë bashkëjetesë tuajën?
Në një çift dhe aq më tepër kur e do dikë, nuk llogariten gjëra të tilla. Edhe pse unë jam në punë dhe Klintoni momentalisht jo, kjo nuk do të thotë që barra e krejt detyrimeve të bjerë mbi mua. Përkundrazi, marrëdhënien e kemi kthyer reciproke, që do të thotë të mos shohim xhepin e njëri-tjetrit, por të jemi pranë sa herë që kemi nevojë edhe për gjënë më të vogël. Për momentin sillemi si e ndiejmë, sepse asgjë nuk e kushtëzon bashkëjetesën tonë.
Je një amvisë e mirë në shtëpi, apo je tipi i vajzës që s’ka lidhje me gatimin?
Për sa i përket gatimit, mmmmmmm… është pasioni im i dytë, pas artit. Përveçse e shikoj si një dëshirë të domosdoshme, e konsideroj atë dhe ilaç antistres. Nuk përtoj kurrë të gatuaj, madje në fillim Klintoni nuk e mendonte që unë do dija të gatuaja kaq mirë. Më kujtohet si tani dita jonë e parë kur u futëm në shtëpi. Ai më shikonte gjithë dyshim, ndërkohë që unë gatuaja dhe priste me padurim të ushqehej për herë të parë nga dora ime. Në momentin që ai provoi atë çka unë kisha gatuar, atë ditë më komplimentoi dhe më tha: “Po që ditke të gatuash mirë ti! Dhe unë ia ktheva vetëm një përgjigje: ‘Zemër ky është vetëm fillimi, sepse unë di të gatuaj gjithçka’”. Dhe, përveç kësaj, unë nuk përtoj asnjëherë t’i rri edhe shtëpisë mbi kokë. Punët e shtëpisë i bëj me kënaqësinë më të madhe.
Gjatë kësaj kohe që jetoni bashkë, keni bërë ndonjë sherr dhe pse ka ndodhur?
Jo ndonjë sherr i madh, por debate momentale si çdo çift, sepse unë jam shumë xheloze.
Duket se e keni marrë shumë seriozisht lidhjen, po sa optimistë jeni për vazhdimësinë? Bëni plane për martesë dhe fëmijë?
Çdo gjë vjen natyrshëm, dhe më mirë le t’ia lëmë kohës, duke e ditur që koha është ajo që tregon dhe vendos gjithçka.
Ka nga ata që mund të thonë se pse ti zgjodhe një djalë të ri si Klintoni për të ndërtuar jetën dhe jo një person me shumë para e pushtet….
Nuk e di se ç’do të thotë për disa para dhe pushtet, por unë do të preferoja më mirë të jepja dhe të merrja shumë dashuri, sesa të merrja një dhuratë të shtrenjtë, që s’do më gëzonte aq sa duhet. Në momentin që unë ndihem mirë, them se kam bërë zgjedhjen e duhur.
Je bërë e njohur si Luzja e “Portokallisë”, por tashmë, pas kaq vitesh, ke menduar të pasurohesh me të tjera karaktere?
E vërtetë që Luzja do të mbetet personazhi që mua më bëri të famshme dhe gjithashtu spektakli “Portokalli” është një trampolinë për mua, pasi më rriti si Renada, ashtu dhe si artiste. Për këtë falënderoj gjithë stafin dhe regjisorin z. Altin Basha. Natyrisht që unë kam nevojë dhe dëshiroj të sjell gjëra të reja në këtë spektakël, të cilat për momentin mbeten sekret dhe uroj që në vazhdimësi t’ia dal po aq mirë siç ia kam dalë deri më sot.
Si një vajzë që bën humor, ndodh që djemtë t’i bësh edhe për të qarë?
Jam person që kam dëshirë që njerëzve t’u jap dhe t’u përçoj humor dhe energji pozitive. Po ashtu, lotët të jenë të pranishëm vetëm në raste gëzimi, domethënë të qajnë nga gëzimi. Megjithatë, nuk do të ndihesha keq nëse personi që kam në krah, të derdhë ndonjë pikë loti për mua…

Klinton Zeqiraj: Për një çift si ne nuk ka vend tradhtia
Çfarë tipi femre do e klasifikoje Renadën?
Renada është femra më e dashur që kam parë deri më sot dhe më e mira. Shumë e çiltër, e thjeshtë, simpatike dhe shumë e talentuar. Ajo hyn tek ato femrat e brishta dhe të veçanta për të cilën kam shumë fjalë për ta përshkruar, ndaj thjesht mund të them që e dua shumë.
Ke rënë në dashuri kështu me Renadën, është personi i duhur për ty?
E si mund mos të biesh në dashuri me një vajzë si Renada?! E zgjuar, me botë, vajzë “për shpi”, me zemër të madhe që më dhuron dashuri pa fund, pra është shumë e mirë. E dua shumë dhe e kam shumë për zemër, aq sa kur ndodhem larg saj ndonjëherë, më merr malli shumë shpejt. Jam mësuar tashmë që rrimë bashkë 24 orë.
Martesën ta kërkon ajo apo ti asaj?
Mendoj që martesa nuk është diçka që kërkohet, por që vjen vetë pa kushtëzime.
Jeni çift aq i hapur sa t’ia toleroni tradhtinë njëri-tjetrit?
Absolutisht jo. Në asnjë mënyrë nuk do ia toleroja tradhtinë, siç edhe Renada mua. S’besoj se në këto lloj marrëdhëniesh, siç e kemi ne, ka vend tradhtia.
Ti je balerin në profesion, po cili nga ju bën striptizë në shtrat?
(qesh) Dhe Renada është aktore, por nuk më reciton ajo poezi natën në shtrat…
Familjet tuaja janë dakord për lidhjen tuaj, duke pasur parasysh diferencën e moshës prej 8 vitesh?
Familjet tona s’kanë bërë asnjë reagim negativ, sepse janë mendjehapur. Në fund të fundit ajo çfarë ka më shumë rëndësi, është dashuria dhe të shkojmë mirë me njëri-tjetrin, sepse nuk jetojmë për njerëzit. Përkundrazi, familja ime më ka thënë që, nëse ndihem mirë vetë, të mos e vras mendjen për diferencën në moshë. Ata Renadën e duan shumë, sepse ajo ka qenë shpeshherë te familja ime në Sarandë.