Nisja e plazhit në Durrës, ka sjellë edhe mbërritjen e lypësave në qytetin bregdetar, një problem i ngritur gjerësisht nga drejtuesit e institucioneve, por që nuk ka gjetur asnjë zgjidhje deri tani.
Së bashku me lypësat në Durrës mbërrin edhe kontigjenti i hajdutëve, atyre që bëjnë kërdinë nëpër biznese e banesa në plazh e në qytet. Këta persona endacakë në mëngjes qëndrojnë në hyrje të portit të Durrësit, duke “sulmuar” emigrantët duke iu kërkuar të holla, në drekë përfundojnë në zonën bregdetare duke lypur në plazh, ndërsa në mbrëmje qëndrojnë në qendër të qytetit, duke marrë me radhë të gjithë baret e lokalet ku qëndrojnë për t’u shlodhur qytetarë e turistë.
Pamje më të shëmtuar nuk ka, kur bulevardet pushtohen prej tyre.
Ky kontigjent bëhet imazhi i parë i turistëve që vijnë nga porti, i atyre që shkojnë në plazh dhe i atyre që vizitojnë qytetin në mbrëmje. Midis tyre ka nëna me fëmijë të mitur. Se çfarë do të bëhet me qytetin e Durrësit dhe me lypësat deri tani nuk dihet. Një gjë është e sigurt, Durrësi është shumë i bukur, për t’u shëmtuar nga personat që pushtojnë bulevardet dhe i japin pamje mjerane.
Policia t’i mbledhë nga rrugët ku qëndrojnë, ndërsa bashkia të vërë në dispozicion një qendër ku të mund të ushqehen dhe të qëndrojnë për aq kohë sa të kenë nevojë, duke marrë edhe shërbimet minimale.
K.H.