Më shumë se 20 fëmijë lypin çdo ditë në shëtitoren e qytetit, ndërkohë që flenë në lulishte dhe në shkallët e pallateve dhjetëra foshnje, fëmijë, gra e të rritur. Ata e popullojnë këtë hapësirë në çdo orë të ditës. Pjesa më e madhe e fëmijëve janë analfabetë dhe me paratë e siguruara nga dashamirësia e qytetarëve duhet të mbajnë familjen. Të kequshqyer, të veshur me lecka e të palarë ata përsërisin çdo ditë lutjen e përhershme, edhe pse qytetarët jo rrallë herë nuk i dëgjojnë

Në qytetin e Durrësit numërohen rreth 1101 banorë rom, me një numër prej rreth 183 familjesh, të dhëna këto të marra nga Shoqata “Alba Rom” Durrës. Pjesa më e madhe e shtetasve rom nuk jetojnë në apartamente e banesa të regjistruara nga shteti dhe kjo e vështirëson punën e institucioneve për të shkuar drejt një konkluzioni për mënyrën e jetesës dhe të dhëna të tjera

Mjafton të vizitosh shëtitoren “Taulantia”, hyrjen në sheshin e trageteve, stacionin e vjetër të trenit apo edhe zonën Nish Tulla për të kuptuar se si dhjetëra fëmijë mbajnë familjet e tyre duke lypur. Varfëria ekstreme deri në uri të plotë ka shtyrë shumë prindër rom të detyrojnë fëmijët që të dalin në rrugë për të shtrirë dorën e lëmoshës. Pjesa më e madhe e tyre nuk frekuentojnë shkollën, madje nuk dinë as të shkruajnë emrin e tyre, ndërsa çdonjëri njeh shumë mirë lekët, euron dhe dollarin. Në shëtitoren e qytetit, buzë detit, atje ku sot janë dy kullat, në lulishten përballë, gjen ditë e natë fëmijë, gra, burra dhe foshnje. Vendasve një pamje e tillë ka nisur të mos u bëjë shumë përshtypje, pasi kanë vite e vite që shohin një mjerim në kufijtë e të pabesuarës të fëmijëve të veshur shumë keq dhe të paushqyer. Kjo kategori, e cila keqpërdoret edhe nga familja, apo saktësisht nga prindërit e tyre, ka mësuar shumë fjalë mirësjellje. Janë të butë, të vërejnë me përgjërim, të ndjekin nga pas deri sa të mund të sigurojnë 10 lekë.

Vizitorët e rretheve, apo edhe të huajt, sa herë ndeshen me pamje të tilla në vendin më joshës të qytetit të Durrësit ndiejnë shumë keqardhje. Realisht kategoria e lypsarëve, e cila rritet e rritet çdo ditë, jeton me paratë e banorëve të Durrësit, qytetarët e të cilit dalin çdo mbrëmje tek “Vollga”, siç edhe e quajnë ata shëtitoren “Taulantia”. Këta fëmijë kanë përfituar shumë nga ndjeshmëria e qytetarëve, të cilët edhe pse të bezdisur nga të gjitha anët nuk reshtin së kruajturi xhepat sa për të nxjerrë që andej një monedhë të vogël. Ata e pohojnë se fëmijët lypës janë shtuar shumë, por përsëri u japin diçka. Vetëm në lulishten e shëtitores dhe në lokalet përgjatë saj lypin rreth 20-25 fëmijë, ndërsa kësaj shifre i shtohen edhe shumë të rritur, gra me foshnje në dorë apo edhe të moshuar që zënë vend në rrugët kyçe. Bashkia e Durrësit, në bazë të statistikave zyrtare, bën të ditur se përpiqet të mbikqyrë dhe të ndihmojë familjet rome, por nga ana tjetër përgjithësisht kjo kategori nuk regjistrohet dhe më së shumti bën jetën e endacakut.

Shëtitorja

Gjëja e parë që të bie në sy sapo zbret në shëtitoren “Taulantia” është numri shumë i madh i fëmijëve dhe të rriturve lypsarë. Ngado që të hedhësh sytë është e pamundur të ecësh pa u ndeshur në këtë shtresë shoqërore të lënë në mjerimin e saj të thellë. Janë thuajse të gjitha kategoritë: gra me foshnje në dorë, lypsarë në karrocë invalidi, fëmijë me dorën e shtrirë, pleq që kanë zënë një vend në anë të rrugës dhe presin lëmoshën. Shpërndahen gjithandej duke ndarë zonat pa u grindur mes tyre. Çdokush që kalon tek “Vollga” në mëngjes apo edhe që ecën me automjet ndeshet me këta njerëz. Lypsarët përgjithësisht kanë një barakë, shtëpi të mirë a të keqe, një çadër a strehë diku. Por ka edhe nga ata që janë në qiell të hapur, pa shtëpi, pa çadër mbi kokë. Puna e tyre nis në të gdhirë dhe mbyllet në mesnatë. Shëtitorja thuajse nuk pushon nga njerëzit deri në orët e para të mëngjesit dhe kjo u krijon më shumë mundësi lypsarëve të sigurojnë disa lekë. Për ta, puna është sezonale. Qytetarët e vizitojnë shëtitoren e tyre edhe në dimër, por në këtë stinë lypsarët janë më të paktë, pasi nuk kanë ku të flenë apo edhe ku të lënë të vegjlit për të dalë më pas në rrugë, lokale e lulishte.

Tani, në verë, gjatë drekës, kur edhe njerëzit rrallohen në shëtitore për shkak të temperaturave të larta, fëmijët dhe të rriturit që lypin bëjnë një sy gjumë të shtrirë në barin e njomë. Flenë ku të munden. Thuajse e gjithë lulishtja është e tyre, por ata flenë edhe në sheshpushimet e shkallëve, poshtë pallateve, në garazhe dhe strehët e lokaleve apo banesave. Mbajnë veshur të njëjtat rroba. Janë po ato duar të palara. Kokën e vënë në të njëjtën batanije dhe as që bëhet fjalë për higjenë.  Përgjithësisht të vegjlit nxirren në punë pa dashjen e tyre dhe shoqërohen nga të rriturit. Këta të fundit u qëndrojnë nga pas dhe herë pas herë u afrohen për t’ua marrë lekët e fituara nga lypja. Tek-tuk ndesh ndonjërin prej tyre që ka bërë dy a tre klasë shkollë. Përgjithësisht janë analfabetë, ashtu si dhe prindërit e tyre që nuk dinë të shkruajnë e as të lexojnë. Asnjë lloj kërkese nuk kanë ndaj vetes dhe familjes. S’e duan më shkollën. Edhe ata që kanë bërë ndonjë klasë janë larguar e ftohur. Kanë harruar shkronjat si dhe nuk dinë të numërojnë shumë. Nuk shohin televizor, nuk ndjekin filma apo emisione të moshës. Megjithatë këndojnë dhe u pëlqen muzika.

E vetmja gjë për të cilën merakosen është të fitojnë lekë sa për të mbushur barkun me bukë. Asgjë më shumë, as ata dhe as prindërit. Fëmijët e kësaj kategorie kanë mundur të fitojnë edhe disa shprehi të cilat kanë të bëjnë me joshjen e qytetarit e vizitorit të huaj apo vendës si e si që të mund të përfitojnë prej tyre një shpërblim të vogël, një lëmoshë sa për të thënë. Jo gjithnjë mund të sigurojnë ditën. Fëmijët thonë se e dinë se sa duhet të mbledhin ditën që më pas të kthehen në barakë apo që të kërkojnë të ushqehen. Nga fitimi i ditës nuk guxojnë të prekin asnjë lek për të blerë diçka për të ngrënë. Ndodh shumë shpesh që dita të mos u ketë ecur mbarë. E pranojnë dhe e thonë se lypsarët janë shtuar dhe kjo i ka vënë në konkurencë. E njohin mirë njëri-tjetrin, dinë edhe se ku e kanë vendin ku dalin për të lypur, ku banojnë, cilët janë hajdutë dhe cilët vijnë nga rrethe të tjera. Në rastet kur fitimi është i vogël nuk u mbetet tjetër vetëm të afrohen në dyert e kuzhinave të restoranteve në pritje të një lëmoshe sa për të ngopur barkun. Kamarierët, shitëset, kuzhinierët, banakierët, lulishtarët i njohin lypsarët, ua dinë në jo pak raste edhe emrat. Dinë se cili ka dorë e cili jo.

Dikë e nxjerrin me forcë nga lokali, dikë e lënë të shkojë tavolinë më tavolinë. Të priviligjuar janë ata që janë të pastër dhe që nuk bezdisin klientët. Ka edhe të tjerë që kanë gjetur një mundësi shumë më të mirë për të jetuar. Bëhen dy a tre veta së bashku dhe kalojnë në rrugë e rrugica apo në lokale duke bërë aheng. Dinë apo nuk dinë marrin në dorë një daulle, fizarmonikë, dajre dhe ç’të munden. Pasi kanë mësuar dy-tre melodi të ndryshme nisin të “argëtojnë” duke siguruar në këtë mënyrë edhe ndonjë lek sa për të shtyrë ditën. Fitimi është përgjithësisht i vogël. Fëmijët thonë se gjatë gjithë ditës sigurojnë 300-400 lekë. Punojnë me orë të gjata, në pikë të vapës e në pluhurin e rrugës. Tek lulishtja parkohen autovetura të shumta. Fëmijët lypsarë nuk ngurrojnë të bëjnë edhe veprime e gjeste për të joshur vizitorët dhe qytetarët. Pa shëtitoren, lypësit nuk do të mund të jetonin. Për shumë vite ata siguronin pak para tek sheshi i trageteve, tek porti apo pranë agjensive që gjendeshin brenda rrethimit të portit. Tani dogana, sheshi i trageteve dhe porti janë të mbyllura për ta. Kjo është edhe një arsye tjetër që fëmijët lypës janë dyndur drejt shëtitores.

NISH Tulla

Prej më shumë se gjysmë shekulli në Nish Tulla, të Shkozetit, banojnë shumë familje rome. Asnjëherë nuk ka pasur ndonjë shifër për të mësuar se sa familje jetojnë në këtë zonë periferike të qytetit dhe se sa banorë ka. Nuk është folur asnjëherë për ndonjë studim. Si gjithandej, edhe këtu nuk ka të dhëna për të ardhurat financiare, numrin e kurorëve, gjendjen ekonomike, shkallën e papunësisë, nivelin arsimor, gjendjen shëndetësore e të tjera. Zona është ndër më të varfrat. Romët këtu jetojnë edhe në pallate, edhe në baraka. Përgjithësisht janë të lindur në Nish Tulla, aty kanë punuar edhe kryefamiljarët për shumë vite. Tani thuajse janë të gjithë të papunë apo punojnë në të zezë. Varfëria ekstreme e pjesës më të madhe të tyre manifestohet gjithandej. Kasollet e tyre janë të ndërtuara me llamarina e katrama. Brenda kanë një minder apo krevat llastiku. Bufeja e raftet janë të zbrazura. Më së shumti në to gjenden copa buke, enë, qese me kripë, ndonjë pako oriz a makarona. Gatuajnë me dru, të mbledhura ku të munden, dhe ushqehen shumë keq. Kanë edhe sende të falura nga të tjerët. Nuk bëhet fjalë për higjenë në të gatuar dhe në të ushqyer. S’kanë ujë për të pirë.

Të gjithë thuajse janë të vrarë nga jeta. Së paku deri tani janë të pakta familjet rome të integruara në jetën shoqërore. Ato aty ushqehen, aty qëndrojnë, po aty flenë. Të gjithë në një dhomë pavarësisht nëse janë të rritur apo të vegjël. Fare pak familje kanë rrjet të ujit të pijshëm dhe instalime të energjisë elektrike. Dritën e kanë futur në banesa si kanë mundur. Rruga e lagjes së tyre ështe e gjitha e pashtruar, plot me gropa, ndonëse në mesin e lagjes skajore gjendet tregu më i madh në Durrës i frutave dhe perimeve. Nuk është kujtuar njeri të hedhë një lopatë me zhavorr. Rruga është plot ujë dimër e verë dhe e gjithë lagja kundërmon erë të keqe, ngase ujërat e zeza dalin në sipërfaqe. Nga stacioni i fundit i urbanit Durrës-Nish Tulla dhe deri tek mbikalimi i autostradës për tek tregu i makinave në Shën Vlash jetojnë shumë familje rome. Ata banojnë në të dy anët e rrugës dhe përgjithësisht janë vendosur në magazinat që deri në vitin 1992 kanë qenë pronë shtetërore të ndërmarrjeve të ndryshme.

Për shkak të varfërisë së madhe banesat rrezikojnë edhe jetën e familjeve, ngase muret kanë pësuar plasaritje e kolonat janë shtrembëruar. Për të mbijetuar kapanonet janë zhveshur duke u hequr atyre hekurin, tullat e gurët. Familjet e këtij grupi shoqëror nuk përfitojnë asgjë, as ndihmë e as përkrahje. Për shkak të nivelit shumë të ulët arsimor e gjithë kjo shtresë shoqërore ka mbetur larg çdo mundësie integrimi. Punët që ata dinë të bëjnë janë shumë të rëndomta dhe kjo ka bërë që të rriturit dhe të rinjtë të mos kenë shpresa për punësim. Gërmimi në kazanët e mbeturinave urbane, gërmimet dhe thyerjet për hekur, punët e hamallit dhe lypja janë gjërat që ata bëjnë, gjithnjë nëse ka kërkesë. Në Durrës numri i familjeve rome sa vjen e shtohet. Ata martohen herët, të vegjël, dhe bëjnë shumë fëmijë. Kjo pjesë e shoqërisë nuk manifeston asnjë lloj kërkese për jetën. Të gjendur përballë varfërisë shumë të thellë, familjet rome nuk kanë marrë ndonjë nismë për të sistemuar oborrin para shtëpisë, për të shtrirë rrjetin e ujit të pijshëm apo për të investuar në riparimet e në lyerjen e shtëpive. Ato pak lekë që fitojnë me anë të lypjes dhe me nxjerrjen e hekurit nga betonet e objekteve të periudhës së regjimit të kaluar, nuk u mjaftojnë për të mbijetuar.

Stacioni i trenit dhe vagonët e braktisur janë bërë tjetër strehë e romëve. As ata nuk e dinë se sa familje kanë përshtatur vagonët për të jetuar pasi ikin e vijnë herë pas here. Janë shpërndarë nga kanë mundur, në përpjekje për të siguruar bukën e gojës. Shumë vagonë pranë stacionit të Shkozetit shërbejnë si strehë për familjet endacake apo edhe për persona të ndryshëm që konsumojnë drogë. Edhe stacioni i trenit në Durrës është kthyer në strehë për ta. Nuk u lejohet të qëndrojnë brenda stacionit dhe as në vendqëndrimin e trenave. Megjithatë kanë mundur të depërtojnë. Aty nën hijen e pemëve, në anë të rrugës nga stacioni i trenit deri tek Ura e Dajlanit, lënë shukun me batanije dhe rroba, të mbështjellë me plasmas, e largohen për t’u kthyer në orët e mbrëmjes.

Bashkia: Në Durrës janë regjistruar vetëm 180 famije rome

Për mbarëvajtjen e implementimit të strategjisë “Për përmirësimin e kushteve të jetesës së komunitetit rom” dhe pasurimin e database-it për këtë komunitet, zyra e shërbimit social pranë bashkisë Durrës ka mbledhur shumë të dhëna. Bashkia pohon se informacionin e saj e ka mbështetur tek kontaktet e kësaj zyre me OJF-të lokale që i vijnë në ndihmë këtij grupi dhe institucione të tjera shtetërore. Në qytetin e Durrësit numërohen rreth 1101 banorë rom, me një numër prej rreth 183 familjesh, të dhëna këto të marra nga Shoqata “Alba Rom” Durrës. Numri i grave kryefamiljare është 21, nga të cilat nëntë janë të divorcuara. Nga zyra e punësimit si dhe nga kontaktet me këtë komunitet, rezulton se 253 gra rome janë të papuna dhe punëkërkuese, kurse rreth 128 të rinj rom rezultojnë të papunë, të dhëna, të dala këto nga zyra rajonale e punësimit Durrës. Shoqata “Alba Rom” Durrës deklaron se numri i fëmijëve rom jetimë është 39, shifër kjo e njëjtë me atë të dhënë edhe nga shoqata e fëmijëve jetimë. Ky numër ndjehet dukshëm edhe nga fenomeni i braktisjes së shkollës, ku 75 e tyre janë rom dhe shkaqet më kryesore të braktisjes janë ato ekonomike. Shumë nga këta fëmijë detyrohen të lypin apo të shesin për të ndihmuar sadopak familjen, apo për të nxjerrë bukën e gojës. Sipas shoqatës “Terre des Hommes” rreth 21 fëmijë rom cilësohen si fëmijë të rrugës. Këta fëmijë janë të regjistruar dhe të përfshirë në projektin e mbrojtjes së fëmijëve dhe përfitojnë shërbime nga strukturat lokale të shëndetësisë, arsimit, qendrat ditore dhe rezidenciale etj. Institucioni i bashkisë, në shifrat e pasqyrave të saj, ka të regjistruar 55 fëmijë rom me aftësi të kufizuara dhe shtatë të rinj konsumatorë të drogës. Pjesa më e madhe e shtetasve rom nuk jetojnë në apartamente e banesa të regjistruara nga shteti dhe kjo e vështirëson punën e institucioneve për të shkuar drejt një konkluzioni për mënyrën e jetesës dhe të dhëna të tjera. Me nismën e disa shoqatave dhe mbështetjen e bashkisë si dhe të biznesit vendas është bërë e mundur që të hapen lokale për të ushqyer fëmijët rom, por bashkia pranon se këto nisma nuk kanë mundur të afrojnë ndonjë zgjidhje për të ndryshuar mënyrën e jetesës tek kjo kategori shoqërore.

Elidjoni: Babën ma vranë se nuk dha paratë e drogës

Elidjon Rexhepi është detyruar që fëmijë të dalë në rrugë për të shitur fara, banane apo kikirikë e bajame. Fëmija i përket komunitetit rom. Në kohën që ai nuk kishte mbushur një vjeç, të atin ia vrasin. Elidjoni sot është 15-16 vjeç dhe thotë se nuk mban mend asgjë. Jeton vetëm me të ëmën në një barakë në Plazhin e Durrësit. Nëna ia ka treguar edhe fatin e të atit të tij. Ai madje ruhet shumë dhe nuk e fsheh edhe frikën për të ardhmen. “Babanë ma kanë vrarë. Është marrë me mall, me drogë. Merrte drogë dhe nuk shlyente paratë. Kështu disa herë deri sa e vranë”.  Fëmija nuk e di autorin e vrasjes. Madje thotë se nuk i intereson ta dijë. Për të nuk ka asnjë rëndësi edhe nëse vrasësi është kapur apo është dënuar. Tani ka mbetur pa baba dhe jeta e detyroi të piqet shumë herët. Është fëmija i vetëm dhe pasi u shpërngul nga Çezmja e Ferrës jeton në një kabinë në lagjen numër 13 të Durrësit. E ëma nuk punon, kështu që Elidjonit nuk i ka mbetur tjetër rrugë veçse të dalë për të shitur.

E pranon se duke shitur bajame siguron ushqimin e domosdoshëm, por tregon se nuk ka larë asnjëherë qeranë për kabinën e plazhit dhe as lekët e ujit e të dritave. Nuk ka telefon dhe nëna e tij rri e ngrirë në rastet kur Elidjonit i duhet të shkojë vonë, pasi nuk ka mundur të shesë kaushët me bajame. Ka ndodhur shpesh herë që 16-vjeçari ta bëjë në këmbë rrugën nga Vollga, ku shet bajame, deri në Plazh tek shtëpia e tij. Është fëmijë i vetëm, ndaj e ëma e ka me shumë merak pa lënë mënjanë edhe pasigurinë e jetës së të birit. Ata druhen se babai i Elidjonit, Artani, mund të jetë borxh edhe tek të tjerët. “Kur më vranë babën, isha sa pëllëmba e dorës. Tani që jam rritur kam frikë se ndoshta babai ka edhe borxhe të tjera të pashlyera”,- thotë djaloshi. Sa herë që flet shikon në të majtë e në të djathtë. Ndryshe nga shumë fëmijë të familjeve rome, Elidjoni kujdeset për veshjen, flet pak dhe tregohet i matur sa herë që nxjerr fjalën. Këtë punë ka 10 vite që e bën, që kur mbushi pesë vjeç. Duke ditur hallet që atij dhe së ëmës i kanë rënë mbi kokë, kënaqet me ato që fiton. Nuk e pranon lëmoshën. Thotë se përpiqet ta sigurojë bukën duke punuar.

Skuqet dhe ndihet keq edhe kur i jep ndonjë lek më shumë sesa kushton në të vërtetë kaushi me bajame. Dëshiron të shkollohet, por thotë se nuk ka asnjë lloj kushti. Prej disa vitesh nuk paguajnë as qeranë e banesës. I ati punonte në port, por ai nuk e ka fituar të drejtën e pensionit, së paku deri sa të bëhej i zoti vetes. Elidjoni thotë se në verë merr të ëmën dhe së bashku shesin në Plazh sa për të mbajtur frymën. “Mesatarisht fitoj 400 lekë deri në 500 lekë në ditë”,- thotë Elidjoni. Si ai ka edhe shumë të tjerë fëmijë, të bardhë e romë. Të gjithë për bukën e gojës. Durrësi nuk ka shumë vende ku mund të punojë kjo kategori.


 

Marigleni lyp për të mbajtur nëntë vetë

Romët bëjnë shumë fëmijë. Edhe familja e Marenglen Dukës është e madhe. Janë plot shtatë fëmijë dhe së bashku me prindërit bëhen nëntë pjesëtarë. Të gjithë duan të ushqehen dhe të jetojnë. Marengleni është më i madhi. Vëllezërit e motrat janë më të vegjël dhe kanë ardhur në jetë me dy vite diferencë nga njëri-tjetri. Marengleni është 22 vjeç. Ai thotë se ka rënë nga treni kur ishte i vogël në përpjekje për të zbritur, ende pa u ndalur treni. Kjo i ka shkaktuar dëmtime në të dy këmbët. Marengleni pohon se asnjëra këmbë nuk punon, pasi i ka dëmtuar në afërsi të pjesës së legenit. Së bashku me prindërit dhe fëmijët e tjerë jetojnë tek Ura e Dajlanit, në një barakë të ndërtuar me dërrasa, llaç dhe kallama. Ndonëse është invalid nuk përfiton asnjë status, pasi thotë se as ai dhe as prindërit nuk janë të regjistruar si banorë të qytetit të Durrësit. “Këtu kemi lindur, por nuk jemi regjistruar në asnjë lagje të Durrësit”,- tregon Marengleni. Me karrocën e invalidit, të siguruar nga një shoqatë bamirëse, del çdo ditë në shëtitoren “Taulantia”. Njërën dorë e mban tek rrota e karrocës për ta shtyrë, kurse dorën tjetër e shtrin duke u lutur për ndonjë lek.

Ai thotë se asnjëri nga prindërit nuk punon. I ati është i sëmurë, nëna e ka pasur të pamundur të gjejë një punë. Marengleni është shumë i kënaqur me atë që fiton. Fatkeqësia e dëmtimit të këmbëve dhe mosha e tij e re i shtyn vizitorët, të huajt dhe qytetarët të mos kursehen për t’i dhënë 10 lekë apo 20 lekë. Shumë ikin duke ia lënë thatë dorën e shtrirë Marenglenit, por ai tregon se kjo nuk ia prish zemrën. “Nuk e mbaj mend kur kam dalë në rrugë për të lypur lekë, kam qenë i vogël. Në atë kohë qaja kur kalonin njerëz e nuk më jepnin asgjë”,- shprehet lypësi. Ai e ka të kufizuar lëvizjen dhe qëndron pranë dy kullave dhe në hyrje të lulishtes. U rri gati makinave që parkohen. Drejtuesit e mjeteve sapo zbresin nga mjeti ndeshen me të riun e aksidentuar. Nuk është se flet. Vetëm shtrin dorën dhe i shikon. Ndodh jo rrallë që atij i duhet të shkojë për t’u vizituar pasi ka probleme me këmbët. Në rrëfimin e tij thotë se më së shumti i kalon dhembjet pa shkuar tek mjeku, ndërsa ka treguar se bluzat e bardha nuk i presin mirë. “E dinë që ne nuk kemi lekë dhe për këtë arsye na shohin me përbuzje”,- tregon Marengleni. Atë e shtyn me karrocë vëllai i tij. Është vetëm shtatë vjeç.

Asnjëri nga fëmijët e familjes së tij nuk ka shkuar në shkollë. Edhe vetë Marengleni është i paarsimuar. Gjithnjë sipas pohimeve të tij, ai del së bashku me të vëllanë në ora 7 të mëngjesit dhe nga ura e Dajlanit e deri në Durrës bën më shumë se një orë. Rrotull lulishtes qëndron gjithë ditën. Afrohet edhe tek lokalet aty pranë. Shohin njerëzit që hyjnë e dalin në lokale dhe presin që ndonjëri prej tyre t’u japë diçka. Ashtu si të gjithë familjet e tjera rome, as familja e tij nuk merr ndihma, përkrahje apo pensione. Të gjithë varin shpresat tek ai, familja pret se çfarë do t’u dërgojë invalidi në mbrëmje. Fitimi në një ditë nuk është pak, pasi ai thotë se siguron diku tek njëmijë lekët. Megjithatë nuk dalin as për ushqim, pasi janë të gjithë të papunë dhe me ato para duhen bërë të gjitha për të jetuar. Për Marenglenin dhe të vëllanë e vogël vështirësia është në kohën e kthimit pas një ditë të gjatë e të lodhshme. I vëllai lodhet duke ecur gjithë ditën dhe kthimi në shtëpi e mundon së tepërmi. “Kjo është jeta jonë dhe nuk kemi ç’të bëjmë”,- arsyeton ai.