Biologët amerikanë nga Instituti Smithsonian i kanë njohur macet e shtëpisë si një rrezik të vërtetë për natyrën. Ato janë fajtore për zhdukjen nga faqja e dheut të 33 lloje të shpendëve dhe të kafshëve, konfirmojnë shkencëtarët dhe njëkohësisht paralajmërojnë për rrezikun që u kanoset prej tyre minjve dhe kafshëve të tjera të vogla, veçanërisht në qytetet e mëdha. Sipas të dhënave të shkencëtarëve, nga dhëmbët dhe kthetrat e maceve dhe maçokëve vriten çdo vit rreth 3 miliardë zogj dhe deri në 20 miliardë brejtës. Kjo shifër është shumë më e lartë se ajo e gjuetisë, përdorimit të kimikateve shtëpiake dhe prishjes me ndërtime të habitatit të tyre të zakonshëm.

Në Zelandën e Re madje kanë iniciuar edhe një fushatë kundër maceve të shtëpisë. Ambientalistët konfirmojnë se në qoftë se nuk do të hiqen qafe këto grabitqare shtëpiake, shumëllojshmëria e shpendëve, brejtësve dhe zvarranikëve vendas do të pakësohet seriozisht. Kjo ide gjeti shumë ndjekës e mbështetës. Ata, sigurisht, nuk bëjnë thirrje për zhdukjen e maceve, por propozojnë të mos lihen të dalin ato jashtë shtëpisë, në rrugë. Po si mund t’i refuzohet maçokut shëtitja? Kjo është krejtësisht e pamundur. Ofrohen dy variante: ose t’i varet ndonjë zilkë e vogël në qafë, me qëllim që të paralajmërohen minjtë e zogjtë për afrimin e maces, ose të nxirret kafsha me zinxhir në qafë e shoqëruar nga i zoti.