Në vigjilje të ndeshjes të së dielës ndaj Vorës, në orën 19:00 në stadiumin “Niko Dovana”, ka folur mesfushori i Teutës, Xhoele Maçolli, i cili ka analizuar këtë takim. Ai shprehet se Teuta, pas dy javësh përgatitje, do të kërkojë tri pikët. Mesfushori i bluve thekson se në këto momente të rëndësishme prioritet është marrja e pikëve.
A është gati Teuta për duelin ndaj Vorës?
Nuk ka ndeshje të lehta, pasi në Superiore çdo rival është i rrezikshëm. Jemi duke bërë analizën e duhur për këtë sfidë dhe po mundohemi të jemi gati për të dielën. Pas dy javësh përgatitje shumë të mirë, duhet të marrim një rezultat të mirë.
Trepikëshi këtë javë do t’ju bënte punë, si e shihni?
E dimë që është shumë e rëndësishme, sidomos për ne që është ndeshja e dytë. Kemi përballë një ekip të fortë dhe pretendent. Duhet të vijojmë të punojmë fort që të arrijmë te suksesi.
Si e keni përgatitur këtë ndeshje?
Si për çdo ndeshje, kujdesi për aspektin mbrojtës dhe atë sulmues është thelbësor. Normalisht, për të fituar duhen bërë gjërat e duhura. Personalisht, jam gati.
Teuta duket e plotë, sa kanë ndikuar afrimet e reja në ekip?
Sigurisht që për ne është pozitive që të gjithë lojtarët janë në 100%. Është një situatë shumë e mirë. Mund të them se afrimet janë përshtatur mirë me pjesën tjetër të ekipit, dhe mbizotëron besimi dhe entuziazmi, që na jep shpresë për ndeshjen e ardhshme.
Cilat janë objektivat tuaj për këtë sezon?
Primar është përmirësimi dhe deri më tani ia kemi dalë me sukses. Duhet t’i marrim ndeshjet me radhë dhe të fitojmë sa më shumë. Rezultatet në fund të sezonit do të na tregojnë se çfarë kemi arritur.





