Teuta nuk arriti të marrë më shumë se një pikë në përballjen e fortë ndaj Tiranës, megjithëse zhvilloi një nga ndeshjet më të mira të javëve të fundit. Përballë një kundërshtari të fortë, durrsakët treguan karakter dhe disiplinë, por u ndalën në momentet vendimtare. Pas përfundimit të sfidës, Xhoele Maçolli, një nga lojtarët më aktivë në fushë, shprehu pakënaqësinë për rezultatin dhe bindjen se kjo skuadër ka potencial për më shumë.

Sa keqardhje keni për dy pikë të lëna ndaj Tiranës?

Sigurisht që na vjen keq që nuk morëm tre pikët. Ishte një ndeshje që e kishim përgatitur mirë dhe kishim besim se mund të fitonim. Krijuam raste të pastra, sidomos në pjesën e parë, por na mungoi vetëm finalizimi. Në futboll, nëse nuk shënon, rrezikon të mos marrësh atë që meriton.

Teuta u përpoq të kontrollonte ritmin e lojës, duke mos i lejuar Tiranës?

Mendoj se bëmë një paraqitje shumë të mirë. Ishim të organizuar, agresivë dhe nuk i lamë kundërshtarit shumë hapësira. Kundër një ekipi si Tirana, që ka shumë cilësi, duhet të jesh perfekt në çdo detaj. Fatkeqësisht, na mungoi vetëm goli, por kjo nuk e zbeh përpjekjen dhe shpirtin e skuadrës.

U shpallët lojtari i ndeshjes si ndiheni?

Jam i kënaqur me përkushtimin tim, por gjithmonë kërkoj më shumë. Do të punoj për të qenë edhe më vendimtar në zonën e rrezikut dhe për të ndihmuar ekipin me gola apo asiste. Grupi po rritet, dhe besoj se rezultatet pozitive do të vijnë në ndeshjet e ardhshme.

Një mesazh për tifozët durrsakë, të cilët ishin prezentë në stadium dhe e mbështetën skuadrën gjatë gjithë 90 minutave?

Tifozët ishin fantastikë. Ata na japin energji dhe forcë për të luftuar deri në fund. Ju premtojmë se do të japim gjithçka për këtë fanellë dhe për këtë qytet. Ky ekip ka shpirt gare, dhe jemi të bindur se do të shpërblejmë tifozët me fitore.