Pas ndërprerjes së kampionatit, Teuta rikthehet në fushë me ambicie të qarta, ruajtjen e ritmit pozitiv dhe forcimin e pozicionit në renditje. Mesfushori energjik Xhoele Maçolli analizon ndikimin e pauzës, përgatitjet e kësaj periudhe dhe pritshmëritë për sfidën e rëndësishme ndaj Vorës, një duel që mund të peshojë ndjeshëm në ecurinë e bluve.

Si e ka ndikuar ndërprerja e kampionatit ritmin dhe formën e skuadrës?

Ndërprerja sigurisht që na ka bërë mirë, pasi jemi stërvitur rregullisht dhe kemi pasur kohë të fokusohemi në detaje. Stafi na mbajti të përqendruar dhe nuk na lejoi të humbnim intensitetin. Tani që kampionati rifillon, jemi gati të rikthehemi me të njëjtin mentalitet fitues.

Si e ke përjetuar personalisht këtë periudhë pa ndeshje zyrtare?

Për mua ishte një mundësi të punoj më shumë individualisht, sidomos në aspektin fizik. Por normalisht mungesa e ndeshjeve është e vështirë, futbollistët jetojnë për emocionin dhe konkurrencën. Jam i lumtur që po kthehemi në fushë.

Me Vorën shihet si një duel i rëndësishëm. Çfarë prisni nga ky takim?

Vora është një skuadër që nuk duhet nënvlerësuar. Kanë ritëm dhe dinamikë të lartë, sidomos në tranzicion. Ne jemi të përgatitur dhe luftojmë vetëm për 3 pikët, sepse duam të vazhdojmë ngjitjen në klasifikim.

Ku mendon se do të vendoset ndeshja dhe ka një çelës suksesi?

Çelësi do të jetë kontrolli i mesfushës. Avantazh do të jetë nëse i diktojmë ritmin lojës dhe jemi të saktë në fazën e fundit. Duhet përqendrim për 90 minuta dhe shmangie të gabimeve individuale.

Në aspekt personal, çfarë synon në këtë pjesë të kampionatit?

Dua të rris kontributin tim, si në mbrojtje ashtu edhe në fazën ofensive. Synimi është të jem konstant dhe të ndihmoj Teutën të arrijë objektivat sezonalë. Gjithçka arrihet me punë të përditshme.

Cili është mesazhi për tifozët para sfidës me Vorën?

Tifozët janë forca jonë më e madhe. I ftoj të jenë pranë nesh edhe këtë ndeshje, sepse energjia e tyre na motivon jashtë mase. Premtojmë të luftojmë për fanellën deri në fund.