Evropa duket se po e ndryshon gradualisht qasjen e saj ndaj konfliktit të nisur në Lindjen e Mesme mes SHBA-Izraelit dhe Irani, që ka si synim asgjësimin e programit bërthamor iranian.

Sipas një njoftimi të Pallatit Elize, Franca do të lejojë përdorimin e bazave të saj ushtarake nga avionët amerikanë. Macron ka zhvilluar gjithashtu një bisedë telefonike me Meloni dhe me kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis.

Palët ranë dakord për dërgimin e mjeteve ushtarake në Qipro dhe Mesdheun Lindor, si dhe për të bashkëpunuar për të garantuar lirinë e lundrimit në Detin e Kuq. Macron dhe Meloni riafirmuan gjithashtu angazhimin për të mbështetur vendet e Gjirit të goditura nga sulmet iraniane të pajustifikueshme.

Megjithatë, në Bruksel vazhdon të shpresohet tek opsioni diplomatik. “Duhet të ketë hapësirë edhe për diplomacinë për të dalë nga cikli i përshkallëzimit. Luftërat mbyllen me anë të diplomacisë”, deklaroi Kaja Kallas. Ajo shtoi se stabiliteti në Lindjen e Mesme kërkon ndërprerjen e konfliktit dhe respektimin e së drejtës ndërkombëtare, por pranoi se Irani po përpiqet të zgjasë konfliktin dhe të përhapë kaosin në rajon.

Përfshirjen e mundshme ushtarake në konflikt e ka marrë në konsideratë edhe kryeministri kanadez, Mark Carney. “Nuk mund ta përjashtosh kurrë në mënyrë kategorike pjesëmarrjen. Duhet t’i mbështesim aleatët”, tha Carney gjatë një takimi me homologun australian Anthony Albanese në Kanberra.

Ndërkohë, Kremlini ka deklaruar se deri tani nuk ka marrë kërkesë nga Irani për asistencë ushtarake. Ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov, tha se duhet krijuar një front i bashkuar kundër luftës në Gjirin Persik.