Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi të premten se Irani mban një përgjegjësi të rëndë për destabilizimin në Lindjen e Mesme dhe se ka vazhduar përpara me një program bërthamor të pajustifikuar.
Gjithashtu ai bëri thirrje për përmbajtje pas sulmit të Izraelit ndaj Iranit.
Presidenti Emmanuel Macron tha se “Franca do të marrë pjesë në mbrojtjen e Izraelit në rast të një sulmi iranian ndaj vendit”.
Macron përjashtoi gjithashtu çdo pjesëmarrje të Francës në operacione kundër Iranit duke iu referuar sulmit të Izraelit të premten.
Ai shtoi se mbështetja e Francës për Izraelin “nuk është e pakushtëzuar dhe nuk është pa kufij”.
Duke folur në një konferencë për shtyp, Macron shprehu keqardhje që Irani nuk i kishte pranuar përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për të gjetur një zgjidhje diplomatike për programin e tij bërthamor dhe shprehu shpresën se këto bisedime mund të rinisin.
Izraeli ndërmori sulme masive me raketa dhe dronë në Iran herët në mëngjesin e së premtes, duke shënjestruar programin bërthamor të Iranit, kapacitetet raketore, komandantët kryesorë ushtarakë dhe disa shkencëtarë.