Emmanuel Macron tha se Franca nuk e njeh aneksimin e territoreve të Ukrainës nga Rusia pas deklaratave të diskutueshme të paraardhësit të tij Nicolas Sarkozy, i cili e konsideroi “iluzion” një kthim të Krimesë në Ukrainë.
“Dua të them edhe një herë këtu përballë jush, pranë jush, në mënyrë shumë të qartë: Franca nuk njeh as aneksimin nga Rusia të territoreve ukrainase dhe as rezultatet e zgjedhjeve të manipuluara që u organizuan”, tha ai në një video-mesazh të para-regjistruar të transmetuar në samitin “Platforma e Krimesë” – një samit vjetor diplomatik i iniciuar nga Ukraina dhe Presidenti Volodymyr Zelensky për të kujtuar sovranitetin e Ukrainës mbi gadishullin.
“Pas aneksimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014, ne shohim një përkeqësim të vazhdueshëm të situatës humanitare të të drejtave të njeriut në rajon”, tha ai gjithashtu.
Nicolas Sarkozy, president i Francës nga 2007-2012, tha në mes të gushtit se “çdo kthim është iluzion”. Për Sarkozy, një referendum i pakontestueshëm do të jetë i nevojshëm për të vërtetuar situatën aktuale.
Në të njëjtën mënyrë, për “territoret e diskutueshme të Ukrainës lindore dhe jugore” Sarkozi propozoi organizimin e “referendumeve nën mbikëqyrjen e rreptë të bashkësisë ndërkombëtare për të zgjidhur çështjet territoriale në mënyrë përfundimtare dhe transparente”.
Sarkozy gjithashtu mbrojti një Ukrainë që do të qëndronte neutrale, duke mos u bashkuar me NATO-n apo Bashkimin Evropian.
Përballë këtij konfrontimi, diplomacia franceze siguroi se qëndrimi i saj nuk ka ndryshuar.
Në mesazhin e tij, Macron nënvizoi sot vendimin historik për të njohur në Ukrainë statusin e një vendi kandidat për anëtarësim në BE.
“Ne do të qëndrojmë pranë jush në këtë rrugë evropiane dhe në pritjen tuaj për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme, pra në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”, theksoi ai.