Më shumë se gjysma e popullit francez janë të pakënaqur me Presidentin Emmanuel Macron.
Sipas sondazhit, 57% e popullit francez janë të pakënaqur me Macron. Vetëm muajin e fundit ai ka humbur 14% te mbështetësve.
Vetëm 4 muaj pasi mori çelësat e Elizese, Macron ka humbur popullaritetin me shume se çdo president tjetër francez që ka shërbyer për të njëjtën periudhe kohe që nga viti 1995.
Të dhënat e sondazhit të ri të “Le Journal du Dimanche” u konsideruan dramatike, në raport me fitoren e thelle te 39-vjeçarit i cili sfidoi partitë tradicionale në Francë.
Zyra e presidentit u përball me kundërshtinë e popullit për t’i dhënë bashkëshortes së tij Brigitte një rol zyrtar me buxhet të përcaktuar. Sikur të mos mjaftonte, lajmet mbi shpenzimet e kripura për make-upin e Presidentit, të cilat shkonin deri ne 26 mijë euro, kanë thelluar edhe më shumë pakënaqësinë.
Mediat franceze shkruajnë se në këto kushte, presidenti i ri pritet të përballet me protesta dhe grevë që mund të paralizojnë Francën
Në një reagim për mediat, qeveria franceze tha se po kalon një periudhe të vështirë. Macron po punon të shtyje përpara një sërë reformash nga të cilat do të përfitohet sukses i shpejtë.
Gjithashtu, dëshira e tij për të marrë një rol më qendror në çështjet europiane rezultoi me një ftohje të marrëdhënieve me fqinjët e tij.