Rreth 20 liderë evropianë do të mblidhen në Paris të hënën për t’i dërguar presidentit rus Vladimir Putin një mesazh të vendosmërisë evropiane për Ukrainën dhe për të kundërshtuar narrativën e Kremlinit se Rusia është e detyruar të fitojë një luftë që tani hyn në vitin e saj të tretë.
Presidenti francez Emmanuel Macron ka ftuar homologët e tij evropianë në pallatin Elysee për një takim pune të shpallur në një njoftim të shkurtër për shkak të asaj që këshilltarët e tij thonë se është një përshkallëzim i agresionit rus gjatë javëve të fundit.
“Ne duam t’i dërgojmë Putinit një mesazh shumë të qartë, se ai nuk do të fitojë në Ukrainë. Qëllimi ynë është të shtypim këtë ide, ai dëshiron që ne të besojmë se ai do të fitonte disi”, u tha gazetarëve një këshilltar presidencial në një konferencë.
Kancelari gjerman Olaf Scholz, ministri i Jashtëm britanik David Cameron, kryeministri spanjoll Pedro Sanchez, kryeministri holandez Mark Rutte, si dhe liderë nga vendet skandinave dhe baltike janë planifikuar të marrin pjesë në konferencë. Shtetet e Bashkuara do të përfaqësohen nga Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Jim O’Brien dhe Kanadaja nga Ministri i Mbrojtjes Bill Blair.
“Ne nuk jemi as të dëshpëruar dhe as të zymtë. Ne duam që Rusia ta kuptojë këtë. Rusia do të duhet të llogarisë tek ne të gjithë kolektivisht për t’i dhënë fund kësaj lufte dhe për të rivendosur të drejtat e Ukrainës”, tha këshilltari francez.