Presidenti francez Emmanuel Macron del në mbrojtje të “Charlie Hebdo” duke e quajtur shfaqjen e karikaturave si pjesë të lirisë.
Lidhur me episodet e fundit të dhunës shfaqur në vendin e tij që pasuan me publikimin e karikaturave të profetit Muhamed, kreu i shtetit francez u shpreh në një intervistë për “Al Jazzera” se e kupton zemërimin, por jo dhunën.
“Unë e kuptoj dhe e respektoj faktin që dikush mund të tronditet nga këto ilustrime, por nuk mund të pranoj që kjo të justifikojë dhunën fizike. Dhe në vendin tim, unë do të mbroj gjithmonë lirinë e shprehjes, së të shkruarit dhe të vizatuarit”, u shpreh Macron.
Franca është kthyer në shënjestër të protestave në vendet me shumicë myslimane për shkak të karikaturave. Samuel Paty, mësues i një shkolle të mesme, u vra më 16 tetor nga një 18-vjeçar çeçen sepse u kishte treguar nxënësve të tij karikaturat e “Charlie Hebdo”.
Ndërsa të enjten një agresor që bërtiti “Allahu është i madh” vrau me thikë 3 persona në kishën Notre Dame të Nice, para se të qëllohej nga policia.