Pak orë pasi vizitoi nga afër pasojat e sulmeve ushatarake të forcave ruse ndaj Ukrainës, Presidenti francez Emmanuel Macron ka deklaruar se Ukraina nuk do të ketë kurrë paqe nëse qëllimi përfundimtar i konfliktit në vend është “Të shkatërrojë Rusinë”.

Macron tha se kishte dëgjuar disa të thonë se “qëllimi i kësaj lufte është të shtypë Rusinë”.

Teksa u kujtoi autoriteteve ukrainase që e kanë gabim këtë mendim, presidenti francez i paralajmëroi ata se nëse e bëjnë këtë, nuk do të arrijnë kurrë një paqe të negociuar.

Deklaratat e tij Presidenti francez i bëri gjatë një interviste për CNN, ku theksoi se shtypja e Rusisë nuk është as qëllimi i Zelenksy-t.

“Presidenti Zelensky mbron tokën e tij. Dhe ne duam ta ndihmojmë atë ta bëjë këtë,” tha Macron, duke shtuar se komentuesit ose liderët e caktuar nuk duhet të shtyjnë përtej asaj që synojnë ukrainasit.

Macron pohoi mbështetjen e Francës për Ukrainën dhe kundërshtoi akuzat se komentet e tij të mëparshme se nuk dëshironte të “poshtëronte Rusinë” kishin penguar marrëdhëniet me presidentin e Ukrainës.