Presidenti i ri i Francës, Emmanuel Macron, ka shokuar me një deklaratë të fundit, ku thotë se jeta e tij si lider botëror është më pak “tërheqëse” nga sa mund të mendohej dhe si argument për këtë dha faktin se është i detyruar të flasë shpesh me një lider si presidenti Erdogan.

Kur u pyet nga revista “Le Point” nëse ai po përpiqej të bëhej “fëmija tërheqës” në skenën globale, Macron iu përgjigj: “Skena globale nuk është një skenë edhe aq tërheqëse, ju e dini”. Dhe si shmebull dha: “Unë jam ai që duhet të flasë me Erdoganin çdo 10 ditë”.

Erdogani është kritikuar shpesh nga liderët në Europën Perëndimore dhe ka përplasje me BE-në për çështje si të drejtat e njeriut, etj.

Deklarata është cilësuar si shokuese nga mediat turke, të cilat raportojnë se pas publikimit të intervistës, pjesëtarë të ekipit të Macron-it kanë sqaruar se deklarata nuk ka pasur synim talljeje me Erdoganin, por është bërë në kontekstin e faktit se bisedat me të janë shumë serioze gjithmonë.

Pas raporteve mediatike, Ministri turk i Ekonomisë, Nihat Zeybekçi tha në një reagim se Macron “nuk duhet ta harrojë se të flasë me Erdoganin është bekim për të”. Madje ai shkoi më tej duke thënë se Macroni, kur të shkruajë kujtimet “do të mburret duke thënë se kam folur me Erdoganin”.