Më shumë se një milion e gjysmë njerëz pushtuan plazhin e Copacabanas të Brazilit dje, për koncertin falas të Madonnas, faza e fundit e turneut të saj botëror ”Celebration”.
Turmat në rërë dhe përgjatë bulevardit buzë oqeanit rreth plazhit të famshëm të Rio de Zhaneiros shtriheshin në disa blloqe.
Shumë prej tyre mbërritën disa orë para, madje edhe ditë, fillimit të koncertit për të siguruar një vend sa më afër megaskenës mbi 800 metra katrorë.
Të tjerë shijuan shfaqjen nga deti, në bordin e dhjetëra varkave në spirancë dhe disa të tjerë nga ballkonet e ndërtesave me pamje nga deti.
Zjarrfikësit hodhën ujë para koncertit, kur temperaturat i kalonin 30 gradët Celsius, për të freskuar fansat pranë skenës së mbretëreshës së popit dhe shishe me ujë u shpërndanë pa pagesë.
Madonna, 65 vjeçe, performoi këngë duke përfshirë “Like a Prayer”, “Vogue” dhe “Express Yourself” për më shumë se dy orë.