Presidenti i rrëzuar i Venezuelës, Nicolas Maduro, është paraqitur për herë të parë para Gjykatës Federale të Manhattanit, ku është deklaruar i pafajshëm për akuzat penale që rëndojnë ndaj tij, ndërsa jashtë gjykatës janë mbledhur turma protestuesish me qëndrime të kundërta.

“Jam i pafajshëm, nuk deklarohem fajtor”, i tha Maduro gjyqtarit federal Alvin K. Hellerstein.

Edhe bashkëshortja e tij Cilia Flores ndoqi shembullin e Maduros.

“Jam e pafajshme, komplet e pafajshme. Jam Zonja e Parë e Venezuelës”, Flores i tha gjykatësit.

Seanca shënoi nisjen formale të procesit penal ndaj ish-udhëheqësit venezuelian, i cili u soll në Shtetet e Bashkuara pas një operacioni amerikan dhe tani ndodhet nën juridiksionin e drejtësisë federale.

Ndërkohë, jashtë gjykatës në Nju Jork u mblodhën turma të mëdha njerëzish. Dy grupe me qëndrime të kundërta protestuan paralelisht: njëra palë brohoriti kapjen e Maduro-s, ndërsa pala tjetër protestoi kundër ndalimit të tij dhe kërkoi lirimin.