Maestro i Real Madridit, Toni Kroos po i afrohet sërish fundit të marrëveshjes së tij në kryeqytetin spanjoll, dhe ai i ka të gjitha letrat në duar. 

Los Blancos do ta lërë vendimin në dorën e tij nëse dëshiron të zgjasë marrëveshjen e tij edhe për një vit dhe në Santiago Bernabeu ka optimizëm.

Kroos mbetet një pjesë vendimtare e ekipit dhe është titullar në ndeshjet e mëdha, bazuar në merita. Fakti që Carlo Ancelotti vazhdon ta shohë atë si titullar, funksionon në favor të një sezoni tjetër në Real Madrid, dhe nëse ai beson se do të mbetet titullar sezonin e ardhshëm, atëherë ky mund të jetë ndryshimi. 

Brenda dhomës së zhveshjes, ka shpresë që ai përfundimisht të vazhdojë me ta edhe sezonin e ardhshëm.

Kroos ka folur hapur për daljen në pension dhe e ka bërë të qartë se nuk dëshiron ta zgjasë karrierën e tij më shumë sesa duhet. Gazeta Relevo thotë se ai dëshiron të shmangë një sezon siç është aktualisht Luka Modric, duke luajtur shpesh herë si zëvendësues.

Në Itali u raportua se Juventusi do t’i ofronte atij një shans për të vazhduar karrierën e tij nëse ai nuk do të rinovoj me Los Blancos, por ky opsion është hedhur poshtë: Kroos dëshiron të pensionohet në Real Madrid.

Ekziston edhe një vendim tjetër i rëndësishëm që Kroos do ta mendojë gjithashtu.Gjermania vazhdon me përpjekjet e saj për ta nxjerrë Kroos nga pensioni për Europianit dhe Julian Nagelsmann mendon se ai mund të jetë çelësi i suksesit.