Massimo Carminato dhe Salvatore Buzzi, liderë të një rrjeti të tipit mafioz që zbrazi arkat e qytetit të Romës, u dënuan të enjten në fund të një prej proceseve më të mëdha kundër krimit të organizuar në kryeqytetin italian.

Carminati, dikur pjesëtar i bandës së njohur në Romë, “Magliana” e ekstremit të djathtë, u dënua me 20 vite burg, ndërsa Buzzi, një vrasës i dënuar më herët, me 19 vite. 

Të dy ata ishin mes 46 të akuzuarve në gjyqin e ashtuquajtur “Mafia Capitale”, që nisi në 2015 dhe që u bë simbol i korrupsionit në Romë. 

Carminati, që ka humbur një sy pas një përplasjeje të armatosur me policinë në fillim të viteve ‘80, akuzohej se ishte infiltruar në Bashkinë e Romës dhe se kish shtënë në duart e bandës kontrata publike fitimprurëse, përfshirë menaxhimin e qendrave të strehimit të emigrantëve. 

Hetimi zbuloi korrupsion sistematik në qytet, ku politikanët, burokratët dhe biznesmenët lidheshin me mafiozë për të fituar tendera publikë.