12 mars 2015 – Në Itali gjenden mbi 400.000 makineta të lojërave të fatit, dy herë më shumë se në shtetin e Nevadas. Gadishulli është vendi tretë në botë për numrin e tyre, pas Japonisë dhe Shteteve të Bashkuara. Një biznes në të cilin qarkullojnë rreth 80 miliardë euro në vit, ose 5% e Produktit të Brendshëm Bruto të Italisë.

Duke qenë se organizatat e jashtëligjshme në Itali janë ndër më të famshmet në botë, nuk mund të ndodhte që ato të mos fusnin duart në këtë biznes, për të përfituar sa më shumë të jetë e mundur.

 

Qeveria është detyruar të legalizojë kumarin në të gjithë vendin që prej më shumë se dy dekadash, nga nevoja urgjente për të ardhura në buxhetin e shtetit, si dhe për të goditur tregun e paligjshëm të mafias, e cila në këtë mënyrë do të humbiste mjaft.

Por 15 milionë kumarxhinj që vlerësohet të ketë vendi, nuk mblidhen nëpër kazino luksoze të stilit të Las Vegasit. Njëlloj si në rrugët e Tiranës, ata i gjen në çdo kafene nëpër lagje, dhe gjithmonë ka një rast të mirë që pas një ekspresi apo një aperitivi, të provosh fatin që duket aq pranë.

 

Guardia di finanza, po përpiqet të luftojë evazionin fiskal pikërisht në këto skuta, pasi edhe me legalizimin e kumarit, mafia ka gjetur mënyrat për të përfituar padrejtësisht. Sipas oficerit të policisë financiare, Majorit Filipo D’Albore, legalizimi sigurisht që ka ndihmuar lojtarët nga parregullsitë, por gjithashtu i ka dhënë një dorë mafias që të fitojë sërish para nga evazioni. Gjithashtu sipas tij është normale për organizatat kriminale që të manipulojnë makinetat në mënyrë që njerëzit që luajnë në to të fitojnë më pak para. Dhe nga kërkimet e bëra rezulton që në dy vitet e kaluara shuma e padeklaruar ka qenë pothuajse e njëjtë me atë të deklaruar.

 

Një tjetër nismë pritet të ndërmerret së shpejti nga kryeministri Mateo Renci, i cili mund të vendosë të ulë në mënyrë drastike deri në 100 000 copë numrin e makinerive të lojërave të fatit të lejuara në vend si dhe të kufizojë ndjeshëm shpërndarjen gjeografike të tyre. Deri atëherë, mafia duket se ka fituar sërish mbi shtetin.

 

/S.L. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/