Itali, 9 maj 2014 – Kapot e bandave të organizuara kriminale shqiptare janë pasuruar aq shumë, saqë punësojnë skafistë grekë. Të ndikuar nga kriza ekonomike në vendin fqinjë, grekët detyrohet të bëjnë edhe “punë”, që më parë i bënin shqiptarët.

Të mërkurën në darkë vonë Roja Italiane e Financës në kuadrin e Operacionit evropian “Frontex” ndaloi afër zonës së Marina Di Novaglie-s të Leçes një motorskaf me 11 klandestinë në bord. Klandestinët ishin afganë dhe pakistanezë. Ata ishin të gjithë meshkuj, madje njëri ishte paraplegjik.

Në këtë operacion morën pjesë tre mjete të shpejta të financierëve italianë nga porti i Galipolit dhe Tarantos. Operacioni u mbikqyr nga ajri nga një helikopter i grupit aerodetar të financës së Tarantos si edhe nga një aeroplan zbulimi estonez, i cili patrullon në Adriatikun e jugut dhe në pjesën veriore të Detit Jon në kuadrin e operacionit europian “Frontex”.

Finacierët italianë u habitën, kur mësuan se skafistët grekë ishin thjesht të punësuar të mafiozëve shqiptarë, të cilët i përdornin për të transportuar klandestinë, drogë (kryesisht kanabis) dhe armë të lehta nga bregdeti shqiptar në jug të Karaburunit, si edhe nga ishujt grekë si psh. ishulli i Fanos, ( Prefektura e Korfuzit).

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/