Teuta merr një fitore që e mban në vendin e katërt me 37 pikë. Durrsakët vuajnë ndaj Tërbunit, por në fund arrijnë të marrin një fitore shumë të rëndësishme. Pukjanët tregojnë rritje në lojën e tyre, por në fund dalin sërish pa pikë.

Pas ndeshjes, trajneri i Tërbunit Gjoni fajësoi arbitrin e ndeshjes për shtyrjen e lojës pasi pikërisht në shtesë erdhi edhe goli i fitores i Teutës.

Nga ana tjetër trajneri i Teutës, Gugash Magani, shprehu hapur pakënaqësinë e tij me sjelljen e skuadrës, që sipas tij e nënvlerësoi ndeshjen me Tërbunin.

“Fitore shumë e rëndësishme, por që duhet ta analizojmë me kujdes, sepse vuajtëm shumë dhe fituam me fat. Ndoshta skuadra e kishte nënvlerësuar Tërbunin, duke parë pozitat e kësaj skuadre, ndaj edhe gabuam rëndë. Ndeshja nuk fitohet pa luajtur, duhet vlerësim maksimal për çdo rival. Do të ndalem gjatë te kjo ndeshje, sepse vura re që disa lojtarë nuk dhanë maksimumin dhe këtë nuk e toleroj kurrë. Natyrisht kam faj edhe unë, sepse gjatë javës duhet ta kisha mbajtur skuadrën nën presion. E kuptoj trajnerin kundërshtar që ankohet, u ankova edhe unë në mesjavë në kupë, por shpesh ana emocionale bën të vetën.

Shtesa e gjatë? E justifikuar, pasi pati ndërrime dhe ndërprerje loje pa fund”, tha Magani.