Skuadra e Teutës ka mbyllur angazhimin e saj në njërin prej dy kompeticioneve të këtij sezoni, teksa humbja në Durrës përballë Skënderbeut me rezultatin minimal 0-1, e ka detyruar t’i thotë lamtumirë Kupës së Shqipërisë, pas një rezultati të përgjithshëm 0-2.

Sipas trajnerit të Teutës, Gugash Magani, sulmi durrsak po përjeton një krizë goli, që ndikoi edhe në rezultatin final, sikurse ndikoi edhe humbja e besimit të ekipit, pas pësimit të golit të shënuar nga Skënderbeu në minutën e 52’.

“Gjithmonë humbjet janë të hidhura, aq më tepër kur mendonim se mund të merrnim më shumë. Deri në momentin kur pësuam golin, mendoj se ai aksion duhej ndalur që në mesfushë, edhe pas zëvendësimeve ekipi nuk pati me besim. Duhej të kishim shënuar tre gola nëse shohim aksionet e fundit, por ndaj Skënderbeut vështirë të shënohen tre gola. Të dy sulmuesit po përjetojnë krizë goli, pasi u pa që kishin të gjitha shanset për të ndëshkuar kundërshtarin. Kupa ka të veçantat e veta, ne bëmë maksimumin, por kaq janë mundësite tona, ndërkohë që duhet të tregojmë kujdes në kampionat, pasi jemi në pozita delikate, ndonëse unë nuk e mendoj për asnjë moment rënien”, deklaroi trajneri Gugash Magani.