Teuta e ka harruar humbjen me Luftëtarin në shtëpi dhe është fokusuar totalisht te ndeshja e radhës në transfertë me Vllazninë në “Loro Boriçi”. Ndeshja me shkodranët do të vendos shumë për dy skuadrat, si për objektivin mbijetesë ashtu edhe për shanset për tu bërë pjesë e Kupave të Europës nëpërmjet vendit të katërt.

“Djemtët e Detit” kanë edhe një shans nga Kupa e Shqipërisë pasi janë në gjysmëfinale. Sulmuesi Artur Magani parashikon një ndeshje të fortë ndaj një rivali direkt:“Përballë kemi një kundërshtar të vështirë që vjen pas një momenti të mirë në kampionat. E kemi përgatitur me kujdes këtë sfidë dhe do të kërkojmë të marrim maksimumin në mënyrë që të ngjitemi sa më shpejt në klasifikim. Diferenca nuk është e madhe me ndjekësit, por një fitore kundër një kundërshtari direkt vlen dyfish”.Në sezonin e tij të dytë me Teutën, Magani ka vuajtur përpara portës duke regjistruar vetëm dy rrejta në 21 ndeshje të aktivizuara. “Është e vërtetë që këtë sezon nuk kam shënuar shumë. Unë gjithmonë kur aktivizohem mundohem të jam maksimumin për t’i shërbyer sa më mirë skuadrës. Duhet ta theksoi se në këtë sezon edhe fatin e kam pasur kundër, pasi kam patur disa raste të pastra që duhet ti kisha konkretizuar. Megjithatë më gëzon fakti që shokët dhe trajneri kanë besim tek unë. Unë do të jap maksimumin në këto ndeshje që kanë mbetur me shpresën për ti realizuar objektivat sezonal”, tha 22-vjeçari