DURRES, 15 shkurt 2013– Nesër Teuta do të presë në shtëpi Luftëtarin, skuadrën që i hapi serinë e rezultateve negative gjatë fazës së parë. Durrsakët janë shprehur njëzëri se do t’i shkatërrojnë gjirokastritët, për t’u hakmarrë për humbjen e thellë 4-1, e cila i kushtoi postin trainerit Hasan Lika. Ai u shkarkua automatikisht pas ndeshjes.

Lojtarët e Teutës janë shprehur se gjirokastritët duhet t’i ëndërrojnë pikët në Durrës. Në prag të kësaj sfide, numri një i pankinës së Teutës, Gugash Magani, pohoi se skuadra e tij është gati për këtë përballje, ndërsa kërkoi kujdes dhe përqëndrim nga të tijtë.

”Fakti që luajmë në fushën tonë na bënë që të mos e diskutojmë fare barazimin ndaj gjirokastritëve. Ne do të futemi në fushë me ide të qarta, ku primare do të jetë loja në grup dhe qarkullim sa më i shpeshtë i topit dhe kontrollit të tij. Por pa diskutim edhe fitorja. Personalisht besoj se do ta kalojmë me sukses edhe këtë kundërshtar, ndërsa më pas do të përgatitemi më qetësisht për ndeshjen e radhës ndaj Tiranës. Ndaj Luftëtarit parashikoj një ndeshje shumë të fortë, ku fituesi do të shpallet vetëm nga detajet. Paralajmëroj lojtarët të bëjnë shumë kujdes, pasi Luftëtari nuk ka se çfarë të humbasë dhe kështu që do të vijë në Durrës me mendimin për të marrë qoftë edhe një pikë. Ata në gjendjen ku ndodhen, kërkojnë të mbledhin sa më shumë pikë, me qëllim të mos bien nga kategoria superiore dhe do të jenë mjaft të motivuar. Megjithatë nuk do të përqëndrohem tek kundërshtari, por tek ekipi im. Ne këtë ndeshje e kemi përgatitur deri në detaj, ndaj pres një skuadër mjaft luftarake, por njëkohësisht shumë të vëmendshme. Duhet të jemi gjatë gjithë lojës të përqëndruar dhe të mos shpërqëndrohemi për asnjë moment. Nëse do të arrijmë ta bëjmë këtë, atëherë do ta kalojmë me sukses edhe Luftëtarin”, pohoi fillimisht për Agjencinë e Lajmeve “Dyrrah” Magani, ndërsa foli edhe për ecurinë e deritanishme të skuadrës.

“Deri tani skuadra ka ecur mjaft mirë në kampionat. Jemi në vend të dytë prej shumë javësh. Besoj se do të kemi një ecuri pozitive edhe në të ardhmen, ku do të kërkojmë të fitojmë çdo ndeshje. Realisht është një rrugë tepër e gjatë deri në fund të kampionatit, por besoj se kemi një skuadër të mirë dhe mjaft të motivuar, e cila është gjithashtu e etur për fitore. Nuk e dimë se ku do të arrijmë, sepse e ardhmja nuk dihet asnjëherë, pasi do të ketë të papritura. Ne kemi shpresa se me këtë skuadër do të shkojmë shumë larg, madje nuk përjashtojmë edhe titullin. Në pamje të parë duket disi e pamundur, por në futboll gjithçka mund të ndodhë. Siç e thashë edhe pak më lartë, ne kemi një skuadër mjaft të mirë me lojtarë cilësorë dhe të motivuar, e cila premton një sezon të suksesshëm”,- theksoi numri një i pankinës së nënkampiones.

Timonieri bëri të ditur se tashmë e ka krijuar idenë e tij për skuadrën dhe lojtarët në përgjithësi, ndërsa ka dhënë edhe përshtypjen e tij.

“Teuta është një skuadër shumë e fortë dhe me mjaft eksperiencë në kampionatin shqiptar. Fakti që për dy vite me radhë skuadra qëndron mes ekipeve pretendente për titull dhe që është përpjekur deri në fund, duke rivalizuar denjësisht me kundërshtarët do të thotë se nuk ka nevojë  për shumë reklamë. Megjithatë, duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, ndërsa gjithashtu duhet të punojmë edhe më shumë, pasi është e vetmja mënyrë për të arritur objektivat. Ne kemi një skuadër, që në gjirin e saj ka lojtarë mjaft cilësor dhe me eksperiencë, të cilët garantojnë për një ecuri të mirë të skuadrës gjatë fazës së dytë”,- përfundoi Magani.