8 dhjetor 2015 – Gugash Magani bëri një autokritikë pas humbjes me Bylisin. Trajneri i Teutës pranoi se pa në fushë një ekip tjetër, në krahasim me atë të disa ditëve më parë dhe se kundërshtari e meritoi fitoren. “Mënyra si erdhi loja më la pa fjalë, por nuk duhet të shpreh dëshpërimin tim, kjo i ka ndodhur edhe skuadrave të tjera që ka ndodhur në pak ditë kam parë një skuadër të shpërfytyruar, ku secili ka përgjegjësitë edhe unë, por nuk është fundi i botës. Unë mendoj se edhe sikur të përfundonte në barazim nuk do ta meritonim, pasi Bylisi nuk na vodhi asgjë. Kjo duhet të na bëhet mësim, pasi futbolli nëse nuk jep maksimunimn në stërvitje dhe gjatë 90 minutave të hedh poshtë” – tha Magani. Pavarësisht humbjes Teuta qëndron në vendin e tretë, por shikon rivalët të afrohen. Pas pesë javësh me rezultate pozitive, në harkun e 36 ditëve nga humbja me Partizanin, “djemtë e detit” të Teutës dje u mundën 2-1 në Ballsh ndaj Bylisit, pas një loje aspak të kënaqshme nga trajneri i tyre Gugash Magani.

Në fundjavë Teuta do të presë në “Niko Dovana” korçarët e Skënderbeut, të cilët do të vinë për “hakmarrje” në Durrës, pasi ishin futbollistët durrsakë ata që “vranë” frikën ndaj kampionëve, teksa u rrëmbyen barazimin brenda në Korçë. Kësisoj, trajneri Magani, ndërsa duhet të punojë për të “mjekuar plagët” e humbjes në Ballsh, duhet të mendojë edhe për zëvendësimin e sulmuesit MaganiJr. dhe mbrojtësit Shkalla, të cilët kanë plotësuar numrin tre të kartonëve të verdhë. Gjithsesi, në radhët e skuadrës së “djemve të detit” për sfidën ndaj Skënderbeut në fundjavë, do të rikthehen mbrojtësit Rustem Hoxha, Lukiç dhe Kotobelli, të cilët munguan në përballjen ndaj Bylisit. Ndërkohë në kampin durrsak besohet, se edhe kapiteni Hodo, pas dëmtimit të pësuar në Ballsh mund të rikuperohet dhe mendohet të jetë i gatshëm për trajnerin Magani për ndeshjen ndaj korçarëve.

/portali DurresLajm/