Gugash Magani i “frikësohet” euforisë. Trajneri kërkon që ekipi të jetë me këmbë në tokë para Laçit, ndaj ka kërkuar që të shmangen edhe deklaratat për mediat. Numri një i pankinës durrsake do që të shmangë situatën që ngjau para Luftëtarit, ku skuadra e mendoi të fituar takimin dhe në fund e pësuan. Para stërvitjes së djeshme ai ka mbledhur grupin dhe është munduar që t’i mobilizojë.
“Duhet të punojmë shumë dhe të stërvitemi me kokën ulur, nuk dua të përsëritet ajo çfarë ndodhi me Luftëtarin. Besimin që keni, tregojeni në fushë dhe jepni maksimumin tuaj aty. Kemi përballë një takim të vështirë ndaj një rivali direkt dhe duhet shumë punë që të marrim fitore. Nuk duhet nënvlerësuar kundërshtari, por as mbivlerësuar. Të gjithë së bashku duhet të bëjmë detyrën tonë, aq më tepër në shtëpinë tonë.Seancat që na kanë ngelur duhet që t’i shfrytëzojmë në maksimum, ndërsa ditën e ndeshjes të gjithë me kokën ulur duhet të jepni më të mirën tuaj. Kur them të gjithë, përfshi edhe veten. Çdo gabim në këto momente i ndërlikon gjërat, kështu që ulni kokën dhe punoni në stërvitje dhe s’dua besim të tepruar në gazeta apo dhe në biseda. Besimin që keni ta tregojmë në fushë ditën e ndeshjes.
Në tapet tregohet forca dhe jo në gazeta, nga dita e sotme asnjëri nga ju nuk do të flasë për mediat, kjo pasi nuk dua që të gabojmë me deklarata e më pas të bëjmë paraqitje për t’u harruar. Më mirë të flasim në fushë e komentet pasi të ketë përfunduar takimi dhe të keni marrë fitoren. Nuk dua fjalë boshe, por punë në fushë”, mësohet të ketë thënë peqinasi.Më pas Magani ka analizuar edhe kundërshtarin, ndërsa ka dhënë këshilla të posaçme për repartet dhe lojtarë të caktuar. Gjatë seancës së fundit, stafi teknik ka provuar disa skema për goditjet standarde, por dhe ka punuar me formacionin. Ai ka testuar disa nga lojtarët që po projekton për 11-shin, megjithatë ende nuk i ka fiksuar titullarët.