Teuta ndal Vllazninë, Magani frenon Cungun. Kuqeblutë e rilindur kanë dalë të mundur nga “Niko Dovana”, në ndeshjen e javës së 20-të të Superiores. Diçka e pritshme dhe e kërkuar me ngulm nga “djemtë e detit”, me në krye trajnerin peqinas.

Pas lojës, Gugash Magani ka dhënë këtë gjykim për duelin me shkodranët: “Gjatë gjithë javës, skuadra ka qenë nën presion për shkak të objektivave që u vendosën gjatë rrugës. Humbja me Flamurtarin ishte e hidhur për ne dhe njëkohësisht e vështirë që këta të rinj t’i motivosh dhe t’u kërkosh të jenë të balancuar. E filluam shumë mirë ndeshjen, ishim gjithë kohën në gjysmëfushën kundërshtare dhe duhej ta kishim dyfishuar rezultatin. Morëm një fitore të merituar. Skuadra e Vllaznisë erdhi me një fytyrë tjetër dhe mendoj se do t’u hapë punë të gjithë skuadrave të tjera. Dy përforcimet e janarit do të na bëjnë shumë punë. Lena është i konfirmuar në kampionatin shqiptar, por i duhen minuta në dispozicion, sepse ka qenë i dëmtuar, ndërsa Jonathan ka shumë punë për të bërë, sepse nuk është mirë fizikisht dhe është mbipeshë, por unë kam besim te aftësitë e tij”.