Trajneri i Teutës, Gugash Magani, është shprehur i kënaqur me pikën e marrë në transfertë ndaj Tiranës, edhe pse tregoi se ekipi i tij kishte udhëtuar drejt kryeqytetit për të marrë tri pikët. Gjithashtu ai shprehu besimin se ekipi i tij mund të përmbyste humbjen me Skënderbeun në Kupën e Shqipërisë dhe të shkonte në finale të Kupës.

Për ndeshjen kundër Tiranës-“Normalisht si erdhi fundi edhe mund ta kishim fituar ndeshjen. Por në fillimin e ndeshjes nuk treguam vlerat tona. Është ndeshja e tretë apo e katërt që nuk sillemi mirë në fillimin e ndeshjes. Në pjesën e dytë ndeshja foli më shumë për ne, kishim më shumë raste para portës, u shfaqëm para saj po nuk shënuam. Jam shumë i kënaqur me pikën por jo me lojtarë të veçantë që krijuan shumë hapësira nga dëshira, dolën nga detyrat. E patolerueshme në një ndeshje shumë të rëndësishme”.

Për rrezikun e mbijetesës-“Mund të them se si karakter jam me këmbë në tokë, ne bëmë një hap të rëndësishëm sot. Jemi përsëri të rrezikuar, ka shumë ndeshje në lojë dhe mund të them që objektivi është të shpëtoj skuadrën nga rënia, ndërsa në Kupë të shkojmë në finale”.

Për pretendimet e ekipit-“Nuk thashë që nuk jam i kënaqur me pikën aq më shumë që ia mora Tiranës, për fanellë e pozitë. Ishte pikë shumë e rëndësishme, por do të thosha që kalendarin e kemi shumë të vështirë, luajmë në Kukës, pastaj me Partizanin e Flamurtarin, ndaj normalisht çdo pikë në këto momente është shumë e rëndësishme, ndaj kur vjen momenti duhet ta shfrytëzosh”.

Për rreshtimin ndryshe para mbrojtjes-“Duke pasur parasysh që Tirana luan me dy para mbrojtjes, u rreshtuam në fushë njëlloj. Pata besim te Bangal dhe mendoj se e kreu mirë detyrën. Ne erdhëm për tre pikë dhe sulmuam, mund të ishim ndëshkuar, kështu e ka futbolli. Nuk kishim shumë ekuilibër në mesfushë, duhet veçuar Dita që ishte lojtari i ndeshjes për ne”.

Për besimin që ka se mund të përmbysë Skënderbeun-“Harrojmë që kishim 2-3 mungesa të rëndësishme, këto janë lojtarët që aktivizojmë gjatë gjithë kohës. Nëse nuk do të kisha besim do të isha inferior, nuk jam inferior. Po kjo nuk do të thotë që futemi në fushë për të nënvlerësuar kundërshtarin. Skënderbeu të lë të luash futboll dhe ne kemi shanset tona”.

Për objektivat-“Normalisht, ne kemi si objektiv ndeshjen e radhës, siç e ka çdo skuadër, ajo që duhet të përmirësojmë është të rritim besimin te lojtarët e sulmit dhe manovra sulmuese, në finalizime, te të gjithë, që të mos shpërdorojmë si dje”.