Drejtuesit e klubit durrsak prej ditësh e kanë nisur punën për të kompletuar ekipin. Këtë gjë e konfirmon vetë trajneri Gugash Magani, i cili tregon se këtë javë do të ketë zhvillime te Teuta. Trajneri pohoi se ka besim se deri në fund të muajit disa emra cilësorë do t’i bashkohen ekipit, duke konfirmuar edhe qëndrimin mbrojtësit boshnjak Markoviç. Trajneri i “djemve të detit” nuk jep detaje apo emra, pasi nuk janë mbyllur bisedimet mes palëve.
“Kjo është java e lëvizjeve te Teuta, ndaj priten disa lojtarë dhe këto janë me eksperiencë dhe që do ta ndihmojnë shumë ekipin. Jemi në bisedime me disa futbollistë, por nuk dua që të jap emra gjersa vijojnë bisedimet. Nuk dua të kemi probleme as ne dhe as lojtarët që mund të kenë kontrata me ekipet ku janë. Por e sigurt është që deri në fund të muajit do të kemi zhvillime shumë interesante.Një blerje e rëndësishme është ajo e Markoviçit, kështu që mbrojtësi do të konfirmohet tek ekipi i Teutës. Falë paraqitjes dhe eksperiencës që ka, ai do të jetë lideri i mbrojtjes së skuadrës durrsake. Së bashku me drejtuesit, po punojmë fort për të pasur një organikë sa më profesioniste dhe cilësore.
Do të ndërhyjmë në të gjitha repartet, por pa u nxituar, duam të afrojmë lojtarë që do ta ndihmojë ekipin për objektivat që do të vendosen. Siç e thashë më lart, presim disa lojtarë, besoj që duke nisur nga sot do të ketë dhe emra konkretë. Do të punojmë fort këto ditë për të kompletuar grupin, por dhe për të nisur punën për harmonizim mes lojtarëve”, u shpreh trajneri Magani.