DURRES, 4 korrik 2013 – Teuta do të presë sot në stadiumin “Niko Dovana” moldavët e Dacia Kishinau, takim i vajtjes dhe që vlen për raundin e parë të Europa Ligës. Tekniku Gugash Magani, në një intervistë për “Panorama Sport”, deklaroi se skuadra e tij është gati për këtë përballje, ndërsa theksoi se do hedhë në fushë një skuadër tërësisht sulmuese. Peqinasi ka folur mbi modulin e lojës, lojtarët që do aktivizojë, por edhe mundësitë që ka Teuta për ta fituar këtë ndeshje.
 

Magani, kanë mbetur edhe pak orë nga përballja mes Teutës dhe Dacia Kishinau. Si është atmosfera në skuadër?

Po, sot (dje) kemi zhvilluar dy seancat e fundit stërvitore për këtë ndeshje dhe gjithçka është gati. Pra, skuadra është e gatshme për të zbritur në fushën e lojës, për të bërë atë që kemi përgatitur për këtë ndeshje. Në ekip mbizotëron një atmosferë pozitive, ku të gjithë kanë besim te forca e skuadrës, por edhe tek aftësitë e tyre individuale. Gjatë kësaj kohe kam folur vazhdimisht me të gjithë lojtarët dhe kam kuptuar se asnjëri prej tyre nuk ndihet inferiorë përballë kundërshtarit. Në një përballje të tillë kjo ka shumë rëndësi.
 

Keni deklaruar se do hidhni në fushë një skuadër sulmuese. Sa qëndron ky fakt?

Sigurisht që do luajmë një lojë sulmuese, pasi luajmë në fushën tonë dhe do kërkojmë që punën më të madhe ta bëjmë këtu në Durrës. Pra, jemi të detyruar që të luajmë në sulm, sepse për të kaluar në fazën tjetër do të na duhet me patjetër të shënojmë dhe këtë gjë nuk mund ta pretendojmë në Moldavi në ndeshjen e kthimit. Ne do kërkojmë që nga minuta e parë e deri tek ajo e fundit që ta fitojmë këtë ndeshje, ndërsa do përpiqemi të mbajmë të ekuilibruar edhe repartin e defensivës. Në të tilla përballje, të cilat janë vajtje-ardhje, është e rëndësishme të mos e lejosh kundërshtarin të shënojë në fushën tënde, pasi goli në fushë kundërshtare dihet që ka tjetër vlerë.
 

A keni ndonjë dyshim sa i përket formacionit?

Jo, i kam idetë e qarta. E kam ndërtuar skuadrën që do të hedh në fushën e lojës nga minuta e parë. Kam parë të arsyeshme të mos bëj eksperimente, duke aktivizuar lojtarë që nuk janë në formë për momentin. Në këto ndeshje ka rëndësi të madhe eksperienca. Ne kemi disa lojtarë që kanë eksperiencë të madhe si: Xhafaj, Mancaku, Osmani, Rizvani, Jakupi, pa përmendur edhe të tjerë.
 

Thoni që eksperienca ka rol të rëndësishëm, pse keni preferuar të mos e aktivizoni mbrojtësin Sakaj nga minuta e parë?

Sakaj, për shkak të një dëmtimi që pati ditët e para të grumbullimit, nuk është stërvitur rregullisht me grupin. Ai ka vetëm një javë që i është bashkuar dhe e pash të arsyeshme që të aktivizoja Idrizin. Ndonëse Sakaj nuk do aktivizohet që nga fillimi, ai është një lojtar mjaft i rëndësishëm për ne dhe do ketë edhe ai minuta në dispozicion për të dhënë kontributin e tij.
 

Çfarë keni mësuar për kundërshtarin dhe si keni menduar për ta mposhtur?

Kundërshtarin e kam parë në disa video, ndeshjet e fazës së dytë që ka luajtur në kampionat dhe më është dukur një skuadër e fortë dhe mjaft fizike. Sigurisht që ne i kemi marrë të gjitha masat për këtë ndeshje dhe besoj se gjithçka do të ecë sipas parashikimit. Siç edhe e thashë, do të luajmë në sulm, por do të përpiqemi të bëjmë kujdes në aspektin e menaxhimit të energjive. Nuk duhet shpërdorojmë energji pa objektiv. Një tjetër gjë është edhe ana psikologjike e skuadrës. Nëse skuadra është e bindur tek aftësitë dhe forca e saj, atëherë gjithçka bëhet më e lehtë.
 

Si e parashikoni këtë përballje?

Një ndeshje shumë të fortë, e cila do vendoset nga detajet. Seancat e fundit kemi punuar gjatë për këtë, që lojtarët të jenë të vetëdijshëm dhe të qartë për atë çka po bëjnë në fushën e lojës. Pra, në aspektin psikologjik, thuajse kemi bërë hapa përpara dhe kjo është një gjë shumë e mirë. Moldavët kanë ardhur sigurisht për të marrë më të mirën nga ky takim i vajtjes dhe do të japin maksimumin për ta arritur këtë. Nga ana tjetër, ne nuk kemi rrugëzgjidhje përveç fitores. Në ndeshje të niveleve të tilla, të gjitha skuadrat janë mjaft të mobilizuara. Megjithatë, unë kam besim te skuadra dhe te gjithsecili prej lojtarëve, ndaj besoj se me pak vështirësi do t’ia dalim mbanë.

Teuta sulmuese ndaj Dacias 

Sipas të gjitha gjasave, sot durrsakët do ta nisin me Rizvanin në portë, ndërsa katërshja e mbrojtjes do jetë me Idrizin në të djathtë, Osmanin dhe Jakupin në qendër, si dhe brazilianin Da Silva në të majtë. Ky i fundit duket se ka fituar balotazhin me shkodranin Boci, ndërkohë që në të djathtë, në ndryshim nga rreshtimi në kampionatin e fundit, këtë herë në garën mes dy vlonjatëve do preferohet Idrizi dhe jo Sakaj. Mesfusha do të përbëhet nga katër lojtarë, teksa nga krahët do të luajnë Nika dhe Hyshmeri, ndërsa në qendër Hodo dhe Dosti. Sulmi do t’i besohet dyshes Xhafaj-Mancaku, me këtë të fundit pak më të tërhequr. Duket qartë që formacioni do të jetë me theks sulmues.

Trajneri supersticioz, nuk flet para ndeshjes

Trajneri i Dacia Kishinaut, Igor Dobrovolski, nuk ka pranuar dje që të dalë në konferencë për shtyp. Zyrtarë të klubit moldav deklaruan para stërvitjes së skuadrës se trajneri është disi supersticioz dhe gjithnjë i ka evituar deklaratat para ndeshjeve. Skuadra e Dacia Kishinaut zbarkoi dje në stadiumin “Niko Dovana”, në orën 19:00, ku edhe kreu stërvitjen për rreth një orë. Stërvitja u krye me dyer të hapura dhe u vu re një disiplinë e lartë taktike te moldavët. Trajneri u kushtoi vëmendje të madhe goditjeve nga jashtë zonës, por u ndal gjatë edhe në skemat që përdoreshin për goditjet standarde. Zyrtarë të klubit moldav bënë me dije se e kanë marrë me seriozitetin më të madh ndeshjen e sotme për Teutën, duke pohuar se ishin në dijeni të faktit se ekipi shqiptar është shumë i vështirë për t’u mundur në shtëpinë e vet.

Burimi: http://www.panorama-sport.com/kategoria-superiore/magani-me-laps-ne-dore-te-denuar-per-fitore/#ixzz2Y4ac5uPX